Bashkia Patos nën akuzë për prishjen e pronës në Zharrëz, banori i revoluar kërkon të drejtën e tij

Një pensionist nga Zharreza akuzon bashkinë Patos dhe IKMT-në për shkatërrimin e pronës së tij, pavarësisht dokumenteve ligjore dhe lejeve në rregull.

Sokrat Prifti, banor i Zharrezës, ka ngritur zërin kundër Bashkisë Patos dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, duke i akuzuar se po i shkatërrojnë pronën në mënyrë të paligjshme.

Në një denoncim pranë redaksisë së TV Apollon, Prifti shprehet se prona e tij është e pajisur me dokumente zyrtare dhe leje të ligjshme. Ai thekson se, pavarësisht se vetë zyrtarët e bashkisë i kanë pranuar të drejtën e tij, ata i kanë thënë hapur se do ta shkatërrojnë gjithsesi.

“Jam Sokrat Prifti nga Zharreza dhe po protestoj sepse Bashkia Patos, në kundërshtim me ligjin, po na prish pronat që i kemi me dokumente dhe leje. Kjo është padrejtësi,” u shpreh ai.

Prifti, i cili jeton me bashkëshorten e tij dhe është në pension pas dekadash pune, e quan këtë veprim një goditje të rëndë për të dhe familjen e tij. Ai shton se nuk e kupton sesi institucionet lokale mund të veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe dokumentacionin zyrtar.

Sipas tij, përpjekjet për të ndalur prishjen kanë dështuar, pasi edhe pas paraqitjes së provave dhe lejeve, autoritetet nuk kanë ndryshuar qëndrim. Kjo ka shtuar ndjenjën e padrejtësisë dhe zemërimin e tij.

Ai premton se nuk do të ndalet vetëm te denoncimi publik, por do ta çojë protestën dhe ankesën e tij në të gjitha instancat, duke përfshirë pushtetin lokal dhe atë qendror.

Në fund, Prifti apelon që autoritetet të rishikojnë vendimet e tyre dhe të respektojnë ligjin, në mënyrë që qytetarët të mos mbeten të pambrojtur përballë vendimeve arbitrare.

Ndaj Postimin: