Arsimi dhe sfida për të ardhmen e Shqipërisë

Rënia e numrit të nxënësve, mbyllja e shkollave dhe përkeqësimi i cilësisë së arsimit po e çojnë Shqipërinë drejt një krize të thellë kombëtare.

Sot më 8 shtator, bankat e shkollave 9-vjeçare në Shqipëri janë dukshëm më bosh. Krahasuar me një dekadë më parë, në to sot, u ulën rreth 112 mijë nxënës më pak, një rënie alarmante prej 31%. Kjo nuk është thjesht një shifër, por treguesi i një krize të thellë që rrezikon të ardhmen e vendit.

Në shumë zona rurale, sidomos në jug, shkollat mbyllen sepse nuk ka më fëmijë. Në disa njësi administrative, numri i fshatrave tejkalon atë të nxënësve, duke krijuar një realitet dramatik të boshatisjes së zonave. Edhe qytetet e mëdha nuk i shpëtojnë kësaj rënieje: klasat po pakësohen, mësimi shpesh zhvillohet i kombinuar, pa laboratorë e pa teknologji.

Shkaqet lidhen drejtpërdrejt me emigracionin masiv dhe rënien e lindjeve. Pas tri dekadash tranzicion, Shqipëria po përballet me plakje të shpejtë të popullsisë: mosha mediane ka arritur 44.3 vjeç, afër mesatares së BE-së, por ndryshe nga vendet e pasura, vendi po plaket pa arritur mirëqenie ekonomike.

Në këtë sfond, cilësia e arsimit është në rënie. Shqipëria shënoi përkeqësimin më të madh në botë në testimet PISA, me rënie të dukshme në matematikë, lexim dhe shkencë. Kjo tregon se jo vetëm kemi më pak nxënës, por edhe ata nuk po marrin arsimimin që i bën konkurrues në tregun global.

Rënia e cilësisë dhe numrit të nxënësve krijon një rreth vicioz: më pak fëmijë çon në mbylljen e shkollave, cilësi më të ulët të arsimit dhe më shumë emigracion. Kjo dobëson fuqinë punëtore dhe ul aftësinë e vendit për të hyrë në transformimet ekonomike europiane, duke rrezikuar ta mbajë Shqipërinë në një cikël varfërie dhe varësie nga importet.

Arsimi duhet të jetë prioritet absolut i politikave publike. Pa investime serioze në cilësi, modernizim dhe barazi në sistemin arsimor, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe as mirëqenie për qytetarët. Shifrat e sotme janë një sinjal alarmi: nëse kjo krizë nuk ndalet tani, pasojat do të ndihen për dekada.

Ndaj Postimin: