Mbledhja historike e komitetit ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë

Tirana do të presë më 11 shtator mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ku do të vendosen finalet dhe rregulloret e disa prej kompeticioneve më prestigjioze të futbollit europian.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të zhvillojë mbledhjen e radhës në kryeqytetin shqiptar të enjten, nga ora 14:00 deri në 17:00. Në rendin e ditës pritet të jenë vendime të rëndësishme për përcaktimin e vendeve organizatore të disa finaleve madhore, përfshirë UEFA Champions League 2027, UEFA Women’s Champions League 2027, finalet e UEFA Futsal Champions League 2026, UEFA Futsal Under-19 EURO 2027, UEFA Women’s Futsal EURO 2027, si dhe finalet e UEFA Women’s Nations League 2025.

Pjesë e diskutimeve do të jenë edhe miratimi i rregulloreve për Kampionatin Europian të Futsalit për vajza dhe për kompeticionin kualifikues europian të FIFA Futsal World Cup 2028. Vendimet që do të merren në këtë mbledhje do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në organizimin e garave dhe në planifikimin e kalendarit futbollistik europian.

Mëngjesin e të njëjtës ditë, që nga ora 09:00, në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë do të zhvillohet një festival futbolli për fëmijë si pjesë e programit të UEFA-s “Futbolli në Shkolla”. Ky aktivitet do të hapet me një ceremoni ku do të marrin pjesë presidenti i UEFA-s Aleksander Čeferin dhe presidenti i FSHF-së Armand Duka, duke i dhënë këtij eventi një dimension të veçantë ndërkombëtar.

Festivali do të mbledhë 100 fëmijë, djem dhe vajza nga shkollat lokale, të cilët do të kenë mundësinë të luajnë dhe të takojnë emra të njohur të futbollit. Ambasadorët e UEFA-s Luís Figo dhe Aljoša Asanović, së bashku me ish-lojtarë dhe personalitete të futbollit shqiptar, do të jenë pjesë e këtij aktiviteti, duke ndarë përvoja dhe frymëzim për gjeneratat e reja.

Pas përfundimit të mbledhjes, UEFA do të publikojë një njoftim zyrtar për mediat, ku do të bëhen publike vendimet e marra nga Komiteti Ekzekutiv. Nuk priten konferenca apo deklarata të drejtpërdrejta për mediat gjatë mbledhjes, por do të ketë hapësira të posaçme për xhirime dhe fotografi në kuadër të aktivitetit “Futbolli në Shkolla”.

Për këtë event është parashikuar një zonë e dedikuar për median në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku gazetarët dhe fotografët do të kenë mundësinë të mbulojnë nga afër atmosferën e aktivitetit. Akreditimet do të menaxhohen nga Zyra e Shtypit e FSHF-së, duke garantuar organizim dhe akses për të gjithë përfaqësuesit e mediave të interesuara.

Ndaj Postimin: