Presidenti Donald Trump i kërkon Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara të përmbysë vendimin e apelimit që i shpalli të paligjshme shumicën e tarifave të vendosura prej tij
Administrata e presidentit Donald Trump i është drejtuar Gjykatës së Lartë për të marrë një vendim të shpejtë mbi ligjshmërinë e tarifave të importit që ai vendosi duke përdorur kompetenca emergjente. Kërkesa synon përmbysjen e vendimit të një gjykate apeli që shpalli të paligjshme shumicën e këtyre tarifave, duke i konsideruar si tejkalim të kompetencave presidenciale.
Kjo lëvizje e fundit pritet të vendosë një nga shtyllat kryesore të politikës tregtare të Trump përpara një gjykate që ai vetë e ndikoi ndjeshëm me emërimet e tij. Megjithëse Gjykata e Apelit për Qarkun Federal i ka lënë tarifat në fuqi përkohësisht, avokatët e administratës kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme, duke shpresuar që argumentet të dëgjohen në fillim të nëntorit.
Prokurori i Përgjithshëm D. John Sauer ka paralajmëruar se vendimi i apelimit po krijon pasiguri në negociatat ndërkombëtare që Trump ka zhvilluar për pesë muajt e fundit. Ai theksoi se kjo situatë rrezikon marrëveshje të arritura dhe negociata ende në proces, ndërsa “rreziku është maksimal” për interesat tregtare të vendit.
Nga ana tjetër, përfaqësues të bizneseve të vogla, si Jeffrey Schwab nga Liberty Justice Center, kanë theksuar se tarifat po dëmtojnë rëndë sipërmarrjet, duke rrezikuar mbijetesën e tyre. Ata kanë fituar dy herë në gjykatë, si në instancën e parë ashtu edhe në apel, me një vendim 7-4 në favor të tyre.
Çështja ka në qendër dy paketa tarifash të vendosura nga Trump pas shpalljes së emergjencës kombëtare – një në prill dhe një tjetër në shkurt që prekën importet nga Kanadaja, Kina dhe Meksika. Ndërsa Kushtetuta ia jep Kongresit të drejtën për të vendosur taksa e tarifa, ligje të miratuara ndër vite kanë deleguar një pjesë të kësaj fuqie tek presidenti, gjë që Trump e ka shfrytëzuar gjerësisht.
Vendimi i apelimit interpretonte se Akti për Fuqitë Ekonomike në Emergjencë Ndërkombëtare i vitit 1977 nuk i jepte Trump-it të drejtën të anashkalonte Kongresin për tarifat. Megjithatë, disa gjyqtarë në pakicë argumentuan se ligji i lejon presidentit të rregullojë importet gjatë emergjencave pa kufizime të qarta. Nëse tarifat shpallen të paligjshme, qeveria mund të detyrohet të rimbursojë miliarda dollarë, duke i dhënë një goditje të madhe arkës së shtetit.