Kodi i ri i Etikës për mësuesit vendos standarde të qarta profesionalizmi, integriteti dhe bashkëpunimi, duke forcuar marrëdhëniet mes shkollës, prindërve dhe komunitetit.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka prezantuar Kodin e ri të Etikës për Mësuesit, pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor. Dokumenti synon të vendosë standarde të reja për cilësinë e mësimdhënies, duke theksuar respektin reciprok mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve.
Ministrja Ogerta Manastirliu e përshkroi Kodin si një “busull morale dhe profesionale” që shkon përtej një udhëzimi administrativ. Ajo tha se hartimi i tij është bërë me përfshirjen e mësuesve, drejtuesve, prindërve dhe aktorëve të tjerë të arsimit, duke reflektuar historitë, shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre.
“Ky është një dokument që bashkon traditën më të mirë shqiptare të respektit ndaj mësuesit me standardet europiane të etikës dhe integritetit. Ai është një kontratë besimi mes mësuesve, prindërve, nxënësve dhe shtetit, ku mësuesi shihet si lider dhe model që frymëzon,” deklaroi Manastirliu.
Sipas saj, Kodi mbështetet mbi tre shtylla: integritetin profesional dhe personal të mësuesit; sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve; si dhe përfshirjen e komunitetit. Ai përcakton qartë rregullat e komunikimit, mbrojtjen e të dhënave dhe ruajtjen e imazhit profesional edhe në hapësirat virtuale.
Manastirliu theksoi se siguria e nxënësve është prioritet, duke përfshirë masa për parandalimin e dhunës dhe bullizmit brenda dhe jashtë shkollës. Gjithashtu, Kodi kërkon barazi dhe mosdiskriminim, transparencë në marrëdhëniet me prindërit dhe një paraqitje të denjë të mësuesit në publik.
Në përmbyllje, ministrja e cilësoi mësuesin si figurë kyçe jo vetëm në klasë, por edhe në komunitet, të aftë për të ndihmuar në formimin e qytetarëve të përgjegjshëm dhe të barabartë.


