Franca paralajmëron sanksione të reja kundër Rusisë

Macroni paralajmëron masa të ashpra nëse Moska vazhdon të refuzojë çdo negociatë serioze për një armëpushim në Ukrainë

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Franca dhe Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të miratojnë sanksione të reja ndaj Rusisë, nëse Moska nuk pranon të hyjë në negociata konkrete për paqe. Ai e bëri të qartë se refuzimi i Kremlinit për të diskutuar një armëpushim nuk do të kalojë pa pasoja.

“Nëse Rusia vazhdon të refuzojë bisedimet e mirëfillta dhe ky është përfundimi që mund të nxirret nga qëndrimi i saj, ne do të miratojmë sanksione shtesë bashkë me SHBA-në. Do të japim përgjigje të qarta ndaj këtij qëndrimi, për të çuar procesin përpara. Presidenti Donald Trump më ka shprehur të njëjtin angazhim gjatë bisedës sonë telefonike”, theksoi Macron.

Ai njoftoi gjithashtu se mbështetja e SHBA-së për garancitë e sigurisë ndaj Ukrainës do të konkretizohet në ditët e ardhshme. Kjo u bë e ditur në përfundim të Samitit të Koalicionit të Vullnetit në Paris dhe pas një videokonference me Presidentin amerikan Donald Trump.

Macron kritikoi ashpër kërkesat e Moskës për tërheqjen e ushtrisë ukrainase nga territore të gjera si kusht për paqe. Sipas tij, ky kusht është “i pamoralshëm, i paligjshëm dhe i pamundur”, duke theksuar se bëhet fjalë për zona që i kanë kushtuar Rusisë rreth 250 mijë viktima dhe mbi një milion ushtarë të paaftë për luftim.

Në samit, ku morën pjesë liderë nga vende të ndryshme, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se po konkretizohen garancitë e sigurisë për vendin e tij. Sipas Macron, deri tani 26 shtete kanë premtuar të dërgojnë trupa ushtarake në Kiev si pjesë e mbështetjes ndërkombëtare.

Ky angazhim i koordinuar mes Francës, SHBA-së dhe aleatëve të tjerë pritet të rrisë presionin mbi Moskën, në një kohë kur lufta në Ukrainë po hyn në një fazë kritike dhe çdo vendim diplomatik apo ushtarak mund të përcaktojë rrjedhën e saj në muajt e ardhshëm.

Ndaj Postimin: