Një aksident tragjik në tramvajit Glória në Lisbonë la të paktën 16 viktima dhe mbi 20 të plagosur, ndërsa autoritetet hetojnë shkaqet.
Mbrëmjen e së mërkurës, një nga atraksionet më të njohura të Lisbonës, trami Glória, doli nga shinat dhe u përplas, duke shkaktuar një tragjedi të rëndë. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:15 pranë Avenida da Liberdade, ku dhjetëra ekipe shpëtimi dhe 22 mjete emergjence mbërritën menjëherë në vendngjarje. Sipas mediave portugeze, një kabllo e liruar gjatë rrugës mund të ketë bërë që mjeti të humbiste kontrollin dhe të përplasej me një ndërtesë. Pamjet treguan karrocën e verdhë të përmbysur e të shkatërruar mbi kalldrëm, ndërsa tymi mbulonte zonën.
Në mesin e viktimave dhe të plagosurve ka edhe shtetas të huaj, por ende nuk dihet saktësisht se kush ishte në bord dhe kush ndodhej në rrugë në momentin e përplasjes. Një fëmijë trevjeçar po trajtohet në spital, ndërsa e ëma shtatzënë është dërguar në maternitet. Glória, që mund të transportojë rreth 40 pasagjerë, është i preferuar si nga turistët ashtu edhe nga banorët e qytetit, por nuk është konfirmuar numri i saktë i personave në bord.
Ky sistem hekurudhor unik, i hapur në vitin 1885 dhe i elektrifikuar 30 vite më vonë, përshkon një distancë prej 275 metrash nga sheshi Restauradores deri në lagjen e njohur Bairro Alto në vetëm tre minuta. Funikulari është i rëndësishëm për banorët, sidomos për ata me lëvizshmëri të kufizuar, por vitet e fundit është përdorur më shumë nga turistët, duke kufizuar mundësinë e përdorimit për vendasit.
Presidentja e një shoqate lokale, Fabiana Pavel, shprehu tronditjen e komunitetit, duke theksuar se ngjarja ka prekur jo vetëm ata që përdorin shërbimin për përditshmërinë, por edhe familjet që mund të kenë qenë duke u kthyer nga shkolla në momentin e aksidentit. Ajo theksoi se prania e madhe e turistëve shpesh e bën të vështirë për banorët të përdorin këtë mjet publik.
Kryetari i bashkisë së Lisbonës, Carlos Moedas, shpalli tre ditë zie për viktimat, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjet. Reagime erdhën edhe nga kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, presidenti portugez Marcelo Rebelo de Sousa dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, të cilët shprehën solidaritet dhe keqardhje për humbjet e jetëve.
Përfaqësuesi i kompanisë së tramvajeve të Lisbonës, Pedro Bogas, tha se kjo është një ditë e trishtë jo vetëm për viktimat dhe familjet e tyre, por për gjithë qytetin. Ai theksoi se protokollet e sigurisë janë të rrepta dhe stafi me përvojë, duke kërkuar që hetimet të zbulojnë shkakun e saktë të tragjedisë. Autoritetet vazhdojnë punën për të rindërtuar ngjarjen dhe për të shmangur përsëritjen e një fatkeqësie të tillë.


