Largimi i Adrian Bajramit ka zbuluar tensione të brendshme në Kombëtare, ndërsa FSHF shmang çdo përplasje për të ruajtur qetësinë para zgjedhjeve
Largimi i Adrian Bajramit nga Kombëtarja nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një liste të gjatë futbollistësh që kanë zgjedhur të përfaqësojnë ekipe të tjera kombëtare. Precedentë të tillë nuk kanë munguar as në të kaluarën, ku lojtarë me origjinë shqiptare kanë justifikuar zgjedhjen e tyre me arsye familjare, ndërsa të tjerë e kanë parë si mundësi për karrierën.
Në historinë e futbollit kuqezi, emra si Adnan Januzaj, Panajot Kone, Fjorin Durmishaj apo Andrea Tato kanë mbajtur pezull pritshmëritë e tifozëve. Ndryshe nga disa prej tyre, Bajrami ka luajtur në tre miqësore me Shqipërinë, por mungesa e aktivizimit në ndeshje zyrtare e ka lejuar të ndërrojë përfaqësuesen sipas rregullave të FIFA-s, me miratimin e FSHF-së.
Për çudi, Federata dhe trajneri Sylvinho nuk e përdorën asnjëherë në ndeshje kualifikuese, duke mos e bllokuar transferimin e tij drejt Zvicrës. Vendimi shihet si pjesë e një strategjie për të shmangur tensionet, pasi klima brenda ekipit është e ndezur edhe nga marrëdhënia e ftohtë e Sylvinhos me mbrojtësin tjetër, Enea Mihaj.
FSHF nuk ka interes të hapë polemika në këtë periudhë, kur shanset për kualifikim në Botëror janë minimale. Presidenti Armand Duka po përgatitet për të kërkuar mandatin e shtatë dhe çdo debat publik rrezikon të dobësojë pozitën e tij, sidomos mes përplasjeve me tifozët dhe raportit të tensionuar me kryeministrin Rama.
Zgjedhjet e ardhshme në FSHF do të zhvillohen vitin e ardhshëm, në një kohë kur kampionati vendas përballet me probleme serioze dhe skuadra kombëtare nuk ka arritur sukseset e pritshme. Në këtë kontekst, ruajtja e një fasade qetësie bëhet prioritet për drejtuesit.
Sylvinho, nga ana e tij, ka zgjedhur ta relativizojë situatën duke deklaruar se “kjo ndodh edhe në Brazil”, por krahasimi duket i pavend, pasi Brazili është gjithmonë pjesë e finaleve të Botërorit, ndërsa Shqipëria ende nuk e ka arritur këtë objektiv. Humbja e një lojtari të Benfikës shihet si një luks që Kombëtarja nuk mund ta përballojë.