Punësimi me pagë mbetet sfidë për shqiptarët mbi 65 vjeç

Vetëm 45.7% e të punësuarve në Shqipëri kanë marrë pagë në vitin 2024, ndërsa pjesa tjetër vijon të punojë pa shpërblim në forma të ndryshme.

Sipas të dhënave të INSTAT, nga rreth 1,2 milionë persona të punësuar vitin e kaluar, më shumë se gjysma nuk kanë përfituar pagë. Shumica janë të vetëpunësuar në bujqësi pa pagesë, të tjerë punojnë pa shpërblim në bizneset familjare, ndërsa një pjesë është e angazhuar në sektorin informal.

Grupmosha më e favorizuar nga punësimi me pagë është ajo 25-29 vjeç, ku 65,5% marrin pagë, një rritje krahasuar me 62,8% një vit më parë. Edhe grupmosha 25-54 vjeç shënon përmirësim, duke kaluar nga 53,7% në vitin 2023 në 55,4% në vitin 2024, çka tregon një përfshirje më të madhe në punësimin formal.

Situata është shumë më e vështirë për personat mbi 65 vjeç. Vetëm 7,6% e tyre punojnë me pagë në vitin 2024, një rënie e ndjeshme nga 10,3% në vitin 2023. Ky paradoks vjen edhe pse numri i të moshuarve aktivë në tregun e punës është rritur me 44%, duke arritur në 120 mijë persona.

Në grupmoshën 55-64 vjeç ka një rritje të lehtë nga 33,2% në vitin 2023 në 36,1% në vitin 2024, por niveli mbetet i ulët krahasuar me potencialin e kësaj kategorie. Kjo tregon se sfida e punësimit formal nuk prek vetëm pensionistët, por edhe ata që janë afër moshës së daljes në pension.

Të rinjtë 15-24 vjeç mbeten pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e kaluar, me 47,4% të punësuar me pagë. Kjo pasqyron vështirësitë e hyrjes në tregun e punës dhe prirjen e kësaj moshe drejt punësimit informal, sidomos në sektorë pa kontrata të rregullta.

Të dhënat tregojnë një rritje modeste të punësimit formal në vend, por hendeku midis brezave mbetet i thellë. Të rinjtë kanë më shumë gjasa të angazhohen në punë me kontratë dhe pagesë, ndërsa moshat më të vjetra mbeten të lidhura me vetëpunësimin, bujqësinë dhe aktivitetet informale që nuk garantojnë një të ardhur të qëndrueshme.

Ndaj Postimin: