Paga minimale në Shqipëri mbetet më e ulëta në Europë, duke qenë 34% më pak se mesatarja e vendeve të rajonit dhe me rënie reale të fuqisë blerëse.
Në fund të qershorit, paga minimale mujore bruto në Shqipëri ishte 408 euro, sipas të dhënave të përditësuara nga Eurostat. Ky nivel e rendit vendin jo vetëm në fund të listës europiane (përjashtuar shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik), por edhe shumë poshtë vendeve fqinje të Ballkanit Perëndimor.
Në rajon, Mali i Zi kryeson me një pagë minimale prej 670 euro në muaj, e dyfishuar krahasuar me katër vite më parë. Pas tij, Serbia regjistron 618 euro, me një rritje prej gati 70% që nga gjashtëmujori i parë 2021. Maqedonia e Veriut, për herë të parë pas disa vitesh, raporton një pagë minimale prej 584 euro. Për Kosovën, të dhënat zyrtare tregojnë se nga 1 tetori niveli do të jetë 350 euro, ndërsa në Bosnjë varion nga 511 deri në 660 euro.
Mesatarja e pagës minimale në Malin e Zi, Serbi dhe Maqedoni të Veriut arrin rreth 620 euro, çka e bën nivelin shqiptar rreth 34% më të ulët. Në Shqipëri, paga minimale nuk ka ndryshuar që nga gjashtëmujori i parë i vitit 2023, pasi kishte pësuar disa rritje në vitin 2022, duke arritur në 40 mijë lekë.
Eurostat e ka përditësuar pagën minimale nga 376 euro në 408 euro vetëm për shkak të zhvlerësimit të euros, ndërsa fuqia reale e blerjes ka rënë. Kjo për shkak të çmimeve më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, sidomos për ushqimet, ku Shqipëria rezulton ndër vendet më të shtrenjta në Europë.
Ndryshe nga Shqipëria, vendet e tjera të rajonit kanë vazhduar të rrisin ndjeshëm pagat minimale pas vitit 2023. Serbia ka regjistruar rritjen më të fortë me 34% krahasuar me vitin e kaluar, Mali i Zi ka shtuar 25% dhe Maqedonia e Veriut 20%.
Në Bashkimin Europian, 22 shtete zbatojnë pagë minimale. Luksemburgu mban nivelin më të lartë me 2700 euro në muaj, ndërsa Gjermania, një nga destinacionet më të preferuara të emigrantëve shqiptarë, ofron pagë minimale prej 2161 euro. Bullgaria ka pagën më të ulët në BE me 551 euro, ndërsa Turqia regjistron një nivel prej 558 euro.


