Aktorja Adriana Matoshi vazhdon të ndajnë momente nga jeta e saj profesionale dhe personale me ndjekësit e saj, duke krijuar gjithmonë një lidhje të ngrohtë me publikun.
Së fundmi, ajo ka treguar detaje për një periudhë të veçantë të jetës së saj, lidhjen romantike me futbollistin afrikan Keith Groeneveld, i cili ishte 19 vite më i ri se ajo.
Adriana zbuloi se kjo dashuri, që bëri bujë dhe u përfol shumë në rrjete sociale, ka qenë e mbushur me ndjenja të forta, megjithëse ajo e dinte që nuk do të zgjaste përgjithmonë. E pyetur nga moderatorja për kohëzgjatjen e kësaj romance, ajo tha:
“Tre vite. Por asnjëherë nuk kam thënë që ka për të zgjatur gjithë jetën. Nuk më ka zgjatur as lidhja me ish-bashkëshortin tim, me të cilin kam katër fëmijë. Edhe atëherë e kam menduar se do të zgjaste gjithë jetën, por nuk ndodhi.”
Matoshi ndau një reflektim të thellë mbi dashuritë e mëdha, duke theksuar se ato shpesh përfundojnë në një moment, por kjo nuk duhet të lërë keqardhje. “Dashuritë e mëdha mendoj se shkëputen diku. Kam përjetuar një dashuri të madhe dhe nuk jam aspak pishman, pavarësisht se gjithë bota shqiptare ka folur. Kam dashur të bashkoj botën, por s’më lanë,” tha ajo me një buzëqeshje plot mirënjohje për atë përvojë.
Gjatë intervistës, aktorja foli edhe për një nga periudhat më të vështira të jetës së saj – momentin kur u diagnostikua me tumor në tru. Adriana tregoi se, përkundër sfidave të mëdha, nuk e ka humbur kurrë besimin dhe forcën për ta përballuar këtë situatë.
“Kur ke besim të plotë tek Zoti, çdo gjë e merr më thjeshtë dhe më lehtë,” u shpreh ajo. “Kam pasur gjithmonë besim tek Ai. Besoj se çdo gjë që është e shkruar për ne, duhet ta përballojmë dhe ta kalojmë. Forca ime e vetme ka qenë Zoti. Për asnjë moment nuk jam frikësuar dhe jam pajtuar me gjithçka që Ai ka shkruar për mua.”
Aktorja mbetet një frymëzim për shumëkënd, jo vetëm për historitë e saj të jetës, por edhe për forcën dhe mirënjohjen që ajo shfaq në përballimin e çdo sfide. Përmes fjalëve të saj, Adriana Matoshi ndan një mesazh të fuqishëm: të duash jetën dhe të besosh, edhe kur përballesh me sfida të mëdha.