Pensionistët shtyjnë kufijtë e moshës në tregun e punës

Në vitin 2024 mbi 120 mijë pensionistë punuan aktivisht, duke shënuar një rritje rekord prej 46% krahasuar me vitin paraardhës.

Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se fenomeni i përfshirjes së personave mbi 65 vjeç në tregun e punës po rritet me ritme të shpejta. Vetëm në vitin 2024, numri i tyre arriti në 120.142, një rritje e dukshme nga 81.835 të regjistruar në vitin 2023. Kjo grup-moshë ka treguar dinamizmin më të madh krahasuar me çdo segment tjetër të popullsisë aktive.

Ndërkohë, pjesëmarrja e forcës së punës në total ka arritur në 1.287.099 persona, por kjo rritje mbetet modeste për pjesën tjetër të popullsisë. Në kontrast, grupmosha e të rinjve 15-24 vjeç ka shënuar rënie nga 112.267 në 110.459 persona, duke reflektuar ndikimin e emigrimit masiv.

Ekspertët e lidhin këtë rritje të aktivitetit tek pensionistët me faktorë ekonomikë dhe demografikë. Jetëgjatësia më e madhe dhe gjendja shëndetësore më e mirë po u lejon shumë prej tyre të qëndrojnë aktivë edhe pas moshës së pensionit. Por një faktor vendimtar mbetet niveli i ulët i pensioneve, që mesatarisht është rreth 190 euro në qytet dhe më i ulët në zonat rurale, duke mos mbuluar nevojat bazë.

Kushtet ekonomike i detyrojnë shumë të moshuar të rikthehen ose të vazhdojnë punën për të përballuar koston e jetesës. Nga ana tjetër, mungesa e fuqisë punëtore për shkak të emigrimit ka hapur vende pune në sektorë me kërkesë të vazhdueshme, ku përfshihen edhe punë më pak të kualifikuara.

Megjithëse prania e të moshuarve në treg ndihmon në ruajtjen e konsumit dhe rritjen e të ardhurave të tatueshme, ekspertët paralajmërojnë për rreziqe afatgjata. Ata theksojnë se skema e pensioneve rrezikon përkeqësim financiar, duke kërkuar reforma strukturore dhe stimulim të skemave private të kursimit për pleqërinë.

Një efekt anësor i kësaj tendence është konkurrenca e shtuar për vendet e punës, ku të rinjtë shpesh hasin vështirësi në punësim, duke i shtyrë edhe më shumë drejt emigrimit. Kjo situatë pritet të mbetet një nga sfidat kryesore të tregut të punës në vitet e ardhshme.

Ndaj Postimin: