Dy bllokime të rënda në kolektorin e digës së Liqenit të Tiranës rrezikojnë përmbytje, ndërsa pritet miratimi i Bashkisë për nisjen e punimeve.
Investigimi i kryer nga kompania konsulente, e angazhuar nga Ujësjellësi i Tiranës, ka zbuluar se kolektori kryesor i digës së Liqenit Artificial është bllokuar në dy zona kritike. Raporti thekson se situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur përmbytje gjatë prurjeve maksimale.
Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha ka shqyrtuar projektin e përgatitur nga kompania konsulente, i cili mbulon inspektimin dhe rehabilitimin e të gjithë gjatësisë 1.5 kilometra të kolektorit. Sipas planit, parashikohen masa për riparimin e segmenteve të dëmtuara dhe përmirësimin e kapacitetit të shkarkimit të ujërave të tepërta.
Dy pikat më problematike janë identifikuar pas digës, ku kolektori kalon nën ish-ndërtesën e Universitetit Ballkan, dhe pranë një ndërtese shumëkatëshe në ndërtim afër godinës së KESH sh.a. Në këto zona janë konstatuar bllokime të pusetave, bllokime tubacionesh dhe nën-dimensionim të tubave për shkak të prurjeve shtesë.
Ekspertët paralajmërojnë se gjatë reshjeve të shumta, këto bllokime mund të shkaktojnë ndalim të qarkullimit të ujit dhe përmbytje në zonat përreth. Komiteti rekomandon spostimin e kolektorit përgjatë rrugëve publike për të shmangur kalimin në pronat private dhe për të lehtësuar mirëmbajtjen në të ardhmen.
Megjithatë, ky projekt nuk mund të zbatohet pa miratimin e Bashkisë së Tiranës, e cila zotëron objektin. Vetëm pas dhënies së “ok”-ut nga bashkia do të mund të nisë procedura zyrtare për miratim dhe më pas punimet.
Sipas burimeve pranë projektit, vonesat në miratimin e ndërhyrjes mund të rrisin rrezikun gjatë sezonit të reshjeve intensive, duke e bërë situatën edhe më urgjente.