Bleona Qerreti padit Evi Kokalarin, detaje të reja për shpifje dhe dëmtim imazhi

Këngëtarja kërkon 2 milionë dollarë dëmshpërblim, duke e akuzuar Kokalarin për shpifje të rënda dhe përhapje thashethemesh me përmbajtje erotike ndaj figurave publike

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bleona Qerreti, ka depozituar një padi në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut kundër Evi Kokalarit, duke i kërkuar një dëmshpërblim minimal prej 2 milionë dollarësh. Sipas akt-padisë, e cila mban datën 14 gusht 2025, Qerreti pretendon se Kokalari ka zhvilluar një fushatë të qëllimshme shpifjesh në rrjete sociale dhe në komunikime të tjera publike, me deklarata që e etiketojnë si “prostitutë, call girl, striptiste dhe artiste kabareje”.

Në dokumentet gjyqësore thuhet se dy gratë janë njohur në vjeshtën e vitit 2020, kur Kokalari e promovoi Bleonën me arsyetimin se ajo synonte të hynte në politikë. Sipas avokatëve të këngëtares, deklaratat e Kokalarit kanë dëmtuar rëndë reputacionin e saj në SHBA dhe në Shqipëri, duke shkaktuar pasoja financiare, humbje imazhi dhe dëme emocionale.

Përmes padisë, Qerreti akuzon Kokalarin se ka fabrikuar histori të pavërteta, duke pretenduar se këngëtarja i ka rrëfyer për lidhje intime të supozuara mes kryeministrit Edi Rama dhe moderatores Alketa Vejsiu, si dhe për marrëdhënie të tjera të pretenduara me figura të larta politike. Bleona i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke theksuar se nuk i ka thënë kurrë.

Avokatët e saj theksojnë se Kokalari ka përhapur edhe pretendime të rreme për një lidhje mes një ish-presidenti të Shqipërisë dhe këngëtares Xhensila Myrtezaj, si dhe akuza se Bleona ka pasur marrëdhënie intime me ish-presidentë dhe ministra nga Shqipëria dhe Kosova. Në padi nënvizohet se këto deklarata synonin ta paraqisnin këngëtaren si të pamoralshme, duke dëmtuar markën e saj personale dhe marrëdhëniet me persona me ndikim.

Dokumentet gjyqësore evidentojnë se Kokalari ka përdorur disa identitete, përfshirë Evi Angelakis dhe Evis Angelakis, dhe është pronare e kompanisë “Golden Key Investment Group” me seli në Nju Jork. Gjithashtu, thuhet se ajo ka publikuar qëllimisht imazhe të shtrembëruara të Bleonës, duke u përpjekur të krijojë një narrativë denigruese.

Në kërkesat e saj, Bleona Qerreti kërkon nga gjykata urdhërimin e menjëhershëm për tërheqjen e çdo deklarate shpifëse, pagesën e dëmeve kompensuese jo më pak se 2 milionë dollarë dhe një shumë shtesë në formë dëmesh ndëshkuese që do të përcaktohet gjatë procesit. Gjithashtu, kërkon mbulimin e interesit para dhe pas vendimit, si dhe shpenzimet gjyqësore.

Sipas avokatëve të këngëtares, sjellja e Kokalarit ka pasur ndikim serioz në prishjen e karrierës së suksesshme të Bleonës, duke e detyruar atë të ndërmarrë këtë hap ligjor për të mbrojtur imazhin dhe integritetin e saj profesional. Procesi pritet të jetë një ndër më të bujshmit e viteve të fundit që përfshin emra të njohur të skenës dhe politikës shqiptare.

Ndaj Postimin: