Turizmi në rënie nga Kosova dhe disa tregje të tjera, rritje nga Serbia

Shifrat e turizmit tregojnë ngadalësim të dukshëm, me rënie nga Kosova, Turqia, Polonia e Spanja, por me rikthim të serbëve në jug

Turizmi në Shqipëri po tregon një ritëm më të ngadaltë gjatë këtij viti, duke ndryshuar balancën e tregjeve kryesore. Nga janari deri në korrik 2025, kanë hyrë gjithsej 6.58 milionë shtetas të huaj, vetëm 3.5% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndërsa në 2024 rritja kishte qenë 23%. Edhe korriku shënoi performancë të vakët, me 1.82 milionë hyrje, një rritje minimale prej 0.4%.

Kosova mbetet faktori kryesor i këtij ngadalësimi. Në shtatëmujorin e parë kanë hyrë 2.3 milionë shtetas kosovarë, me rënie 5% ose 121 mijë më pak se një vit më parë. Pesha e tyre në turizmin shqiptar është e lartë, rreth 35% e totalit, çka e bën ndikimin e rënies edhe më të ndjeshëm. Vetëm në korrik, hyrjet nga Kosova ranë me 6%.

Arsyet e tkurrjes së turistëve nga Kosova lidhen kryesisht me tre faktorë: liberalizimi i vizave në BE që nga janari 2024, duke orientuar pushuesit drejt vendeve të tjera; rritja e çmimeve në Shqipëri; dhe dobësimi i euros, monedhës që përdor Kosova, duke e bërë më të leverdishme udhëtimin drejt vendeve të tjera të eurozonës.

Italianët, grupi i dytë më i madh i turistëve, përbëjnë 10% të totalit, por edhe tek ata vihet re ngadalësim. Në shtatëmujor, hyrjet u rritën me 4.5%, shumë më pak se zgjerimi 47% i një viti më parë. Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut mbetet e qëndrueshme me rritje 11.3% në shtatëmujor, ndonëse korriku shënoi vetëm +1.3%.

Disa tregje kanë shënuar rënie të theksuar. Mali i Zi ra me 25% në korrik dhe gati 2% në totalin e shtatëmujorit, ndërsa Turqia regjistroi një tkurrje prej 33% në korrik dhe 8.3% për periudhën janar-korrik. Edhe Polonia pati rënie 12% si në korrik ashtu edhe në shtatëmujor, ndërsa Spanja u tkurr me 5.3%. Operatorët turistikë theksojnë se humbjet vijnë kryesisht nga largimi i turistëve individualë.

Ndërkohë, Serbia ka shënuar rikthim të dukshëm, me 16% më shumë hyrje në shtatëmujor, që përkthehet në rreth 77 mijë vizitorë. Vetëm në korrik, rritja ishte 28%, me preferencë të theksuar për zonat bregdetare të jugut. Gjithashtu, hyrjet nga Franca dhe Gjermania kanë qenë në rritje të fortë, respektivisht me 47% dhe 27%, duke kompensuar pjesërisht rënien nga tregjet e tjera.

Këto ndryshime në strukturën e turizmit po sinjalizojnë një vit më sfidues për industrinë, ku diferencimi i tregjeve dhe oferta më konkurruese mund të jenë çelësi për të ruajtur ritmet e rritjes.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033