Shpërthimi i liseteriozës nga djathërat francezë prek disa vende

Dy viktima dhe dhjetëra të sëmurë në Europë nga liseterioza, me burim djathërat e butë francezë të pasterizuar të shpërndarë në mbi 30 vende

Një valë infeksionesh të liseteriozës ka goditur disa shtete europiane, duke lënë dy persona të vdekur dhe dhjetëra të sëmurë. Shkaku është gjurmuar te djathërat e butë të pasterizuar të prodhuar në Francë, të cilët janë shpërndarë në mbi 30 vende, përfshirë edhe Shqipërinë.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), nga dhjetori 2024 deri më 13 gusht 2025, janë raportuar 21 raste në Francë, ku 18 kanë ndodhur vetëm muajt e fundit. Dy pacientë humbën jetën, ndërsa raste të tjera janë konfirmuar në Belgjikë, Danimarkë, Holandë dhe Norvegji.

Hetimet kanë zbuluar një prodhues francez që përpunonte djathë nga qumështi i lopës dhe dhisë, nën marka të ndryshme. Produktet e tij janë shpërndarë globalisht, përfshirë në Itali, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Spanjë, Zvicër, Australi e Japoni. Autoritetet kanë urdhëruar tërheqjen e tyre nga tregu dhe kanë paralajmëruar konsumatorët për rrezikun.

Liseterioza shkaktohet nga bakteri Listeria monocytogenes, i cili transmetohet përmes ushqimeve të kontaminuara. Simptomat kryesore janë ethe, të përziera, diarre dhe dhimbje koke. Sëmundja është veçanërisht e rrezikshme për gratë shtatzëna, personat me imunitet të dobësuar, të moshuarit dhe pacientët kronikë, pasi mund të shkaktojë komplikacione të rënda, përfshirë edhe vdekjen.

Në Francë, të prekurit kanë qenë nga mosha 34 deri në 95 vjeç, ndërsa në vendet e tjera pacientët janë të moshës 35–70 vjeç. ECDC thotë se, ndonëse rreziku për popullatën e përgjithshme është i ulët, grupet e rrezikuara duhet të tregohen të kujdesshëm.

Mjekët këshillojnë që kushdo që ka konsumuar djathë të butë francez dhe shfaq simptoma si ethe, dhimbje koke, të përziera apo diarre, të kërkojë menjëherë ndihmë mjekësore, pasi trajtimi i hershëm është vendimtar.

Ndaj Postimin: