Pedonalja e re në Divjakë-Karavasta merr miratimin për projektin

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta do të zgjerojë pedonalen deri pranë Qendrës së Parkut, duke ofruar një shëtitje të sigurt e miqësore me mjedisin

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta do të pasurohet me një pedonale të re, e cila do të jetë vazhdim i shëtitores ekzistuese që përfundon te Kulla 360 gradë, në zemër të parkut. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka shpallur fituese për hartimin e projektit kompaninë “INFRATECH”.

Ky investim, sipas AKZM, është i domosdoshëm për t’u siguruar vizitorëve një rrugë të veçantë për ecje, larg qarkullimit të automjeteve, duke rritur ndjeshëm sigurinë gjatë vizitave. Aktualisht, rruga automobilistike është e vetmja hyrje në zonën e parkut dhe shtrihet deri në bregdetin e Divjakës.

Projekti parashikon që pedonalja e re të nisë nga fundi i shëtitores ekzistuese pranë Kullës 360 gradë dhe Zyrave të AdZM Fier, duke vijuar paralel me rrugën automobilistike në të djathtën e saj. Ajo do të gjarpërojë mes pishave mesdhetare, pa dëmtuar asnjë pemë, deri në Qendrën e Parkut, pranë Divjaka Resort.

Shëtitorja e re do të ndërtohet me strukturë druri, për t’u përshtatur me karakterin natyror të parkut dhe për të minimizuar ndikimin mjedisor. Ky koncept e bën atë jo vetëm funksionale, por edhe estetikisht harmonike me peizazhin e zonës.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një nga destinacionet më të vizituara në vend. Vetëm vitin e kaluar, ai priti 274 mijë vizitorë vendas dhe 105 mijë turistë të huaj, duke konfirmuar rëndësinë e tij si atraksion turistik.

Zona shquhet për një biodiversitet të pasur, me specie të rralla, të kërcënuara dhe endemike, si në florë ashtu edhe në faunë, duke e bërë këtë investim një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm.

Ndaj Postimin: