Të mërkurën, më 20 gusht, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancën konstituive për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, pas aktgjykimit të Kushtetueses.
Seanca është caktuar të zhvillohet në orën 11:00 dhe pritet të përmbyllë ngërçin disa mujor të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 8 shkurtit. Në rend dite do të jetë zgjedhja e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese publikoi të hënën aktgjykimin e plotë, duke theksuar se përmes vendimit të 26 qershorit kishte rikujtuar detyrimin kushtetues që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve nga shpallja zyrtare e rezultateve. Ky proces duhet të përfshijë të gjitha elementet themelore, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.
Për më shumë se gjashtë muaj, vendi ka mbetur pa institucione të reja, çka ka sjellë pasiguri politike dhe ka penguar funksionimin normal të jetës parlamentare. Ngërçi ka mbetur në postin e kryetarit të Kuvendit, i cili është kthyer në pikën kryesore të përplasjes mes partive.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të këmbëngulë që Albulena Haxhiu të jetë kandidate për kryeparlamentare, duke e konsideruar atë si përfaqësuese legjitime të shumicës. Megjithatë, partitë e tjera opozitare kanë kundërshtuar, duke thënë se ajo nuk është figurë unifikuese dhe se zgjedhja e saj do ta thellonte krizën.
Publikimi i aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese ka shtuar presionin mbi deputetët për të arritur një marrëveshje dhe për të respektuar afatet kushtetuese. Moszgjidhja e kryetarit të Kuvendit rrezikon të prodhojë kriza të tjera institucionale dhe të minojë besimin e qytetarëve në sistemin politik.
Të gjithë sytë tani janë drejtuar nga seanca e së mërkurës, ku pritet të shihet nëse partitë politike do të arrijnë kompromisin e shumëpritur apo do të vazhdojnë përplasjet që e kanë mbajtur peng Kuvendin për muaj të tërë.
Ky zhvillim do të përcaktojë jo vetëm ecurinë e institucioneve, por edhe besueshmërinë e procesit demokratik në Kosovë, në një kohë kur vendi ka nevojë urgjente për stabilitet politik.


