Divjaka e mbuluar nga mbeturinat në rrugët kryesore

Aksi Çermë–Divjakë është kthyer në një vendgrumbullim mbeturinash, duke treguar dështimin e institucioneve dhe duke shënuar një goditje për turizmin veror.

Rrugët nacionale dhe ato rurale në territorin e Bashkisë Divjakë po mbyten nga mbeturinat urbane. Në të dyja anët e aksit Çermë–Divjakë, pamjet janë tejet shqetësuese: qese plastike, shishe, mbetje ushqimore dhe inerte të hedhura pa asnjë kontroll. Kamera e TV Apollon ka sjellë dëshmi vizuale që tregojnë një situatë të rëndë, ku papastërtia dominon çdo hapësirë, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.

Banorë, udhëtarë dhe biznese i kanë hedhur mbeturinat përgjatë rrugës, duke mbushur çdo cep, ndërsa ndërmarrja e pastrimit dhe drejtuesit lokalë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim. Gjendja është bërë akoma më e rëndë në këto ditë vere, kur turizmi është shpallur prioritet nga qeveria dhe bashkia, por realiteti i kundërt shfaqet para syve të çdo vizitori.

Nga kryqëzimi i autostradës në Çermë deri tek hyrja e plazhit të Divjakës, turisti që udhëton drejt Parkut Kombëtar Divjakë–Karavasta përballet me pirgje të pafund mbeturinash dhe një erë të padurueshme. Ky kontrast mes propagandës për turizëm dhe imazhit të qytetit ka hapur indinjatë të madhe mes banorëve dhe vizitorëve.

Më shqetësuese mbetet pamja e qendrës së qytetit të Divjakës. Përpara Shtëpisë së Kulturës dhe pranë lapidarit, grumbuj mbeturinash qëndrojnë prej ditësh pa u prekur. Përditë aty kalojnë drejtuesit e bashkisë dhe të sektorit të pastrimit e gjelbërimit, por nuk marrin asnjë masë. Ndërkohë, në rrjetet sociale ata shfaqen duke promovuar turizmin e qytetit, ndërsa realiteti është krejt ndryshe.

Edhe koshat përgjatë rrugës që të çon drejt plazhit ndodhen në të njëjtën gjendje, të mbushur e të lënë pa u pastruar. Kjo neglizhencë e dukshme i ka lënë qytetarët dhe turistët mes një mjedisi të ndotur e pamjesh të trishta, që dëmtojnë jo vetëm shëndetin publik por edhe imazhin e Divjakës si destinacion turistik.

Situata aktuale është një provë e qartë e dështimit të bashkisë për të përmbushur një detyrë bazë: pastrimin e qytetit dhe mbrojtjen e mjedisit. Pa ndërhyrje të menjëhershme, Divjaka rrezikon të humbasë jo vetëm turistët, por edhe besimin e qytetarëve të saj.

Ky kontrast mes propagandës institucionale dhe realitetit në terren ngre pyetjen e drejtpërdrejtë: si mund të flitet për zhvillim turistik kur qyteti dhe rrugët e tij kryesore janë shndërruar në deponi të hapura mbetjesh?

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033