Në Parkun e Gërmenjit vijon ende një vatër aktive zjarri, mbi 100 forca ndodhen në terren ndërsa shpresohet që reshjet e shiut ta lehtësojnë situatën.
Situata e zjarrit në Parkun Natyror të Gërmenjit paraqitet më e qetë, por sipërfaqja e djegur është zgjeruar krahasuar me ditët e mëparshme. Autoritetet theksojnë se nuk ka vatra të shumta të reja, megjithatë rreziku mbetet i lartë për shkak të terrenit të vështirë.
Në operacion po marrin pjesë 65 efektivë të MZSH Kolonjë, punonjës të AdZM, policia kufitare, shërbimi pyjor dhe vullnetarë të zonës, të mbështetur nga 35 trupa të ushtrisë nga reparti i Drenovës. Forcat po përpiqen të ndalojnë depërtimin e flakëve në zonën e mbrojtur të pyllit.
Prefekti i qarkut, Nertil Jole, bëri të ditur se aktualisht ka vetëm një vatër aktive, pikërisht ajo në Gërmenj. Ai nënvizoi se situata është më e qetë se ditët e para, por prania e zjarrit mbetet shqetësuese dhe kërkon angazhim maksimal.
Autoritetet vendore shpresojnë se moti do të ndihmojë në shuarjen e flakëve. Sipas parashikimeve, zona do të përfshihet nga vranësira dhe reshje shiu, të cilat mund të ndihmojnë në normalizimin e gjendjes.
Prefekti kujtoi se terreni malor është i vështirë dhe kërkon mbi tre orë ecje për të mbërritur te zona e prekur, çka e bën punën e zjarrfikësve tepër të lodhshme. Për më tepër, në zonë ka prani municionesh të vjetra që shtojnë rrezikun për forcat e angazhuara.
Autoritetet po bashkëpunojnë edhe me strukturat greke për të koordinuar veprimet dhe kanë përsëritur thirrjen për kujdes maksimal nga qytetarët, për të shmangur zjarret që kërkojnë shpenzime të mëdha dhe angazhim të jashtëzakonshëm njerëzor për t’u neutralizuar.