Shqiptarë të arrestuar për sera kanabisi në Spanjë

Policia spanjolle zbulon mbi 7700 bimë kanabisi në sera malore, arreston katër shqiptarë të dyshuar për kultivim dhe trafik ndërkombëtar droge.

Autoritetet spanjolle kanë shkatërruar një grup të organizuar shqiptarësh që kishin ngritur sera kanabisi në zonën malore të Teruelit. Operacioni i Rojës Civile solli zbulimin e nëntë serave të fshehura në një terren të vështirë të njohur si “Përroi i Bufit”.

Sipas njoftimeve zyrtare, në aksion u sekuestruan 7700 bimë marihuane, ndërsa katër persona u kapën në flagrancë. Pamjet e publikuara treguan agjentët e armatosur teksa urdhëronin të dyshuarit të dorëzoheshin, duke i shtrirë përtokë përpara se t’i prangosnin.

Operacioni mori emrin nga vetë vendndodhja ku ishte mbjellë droga, një zonë e izoluar e komunës Arcos de las Salinas. Terreni i thyer malor ishte shfrytëzuar për të fshehur plantacionet nga kontrolli, por teknologjia e dronëve i çoi hetuesit drejt zbulimit.

Policia theksoi se të dyshuarit janë shqiptarë, por emrat e tyre nuk u publikuan. Përveç agjentëve të armatosur, në terren u përdorën edhe qen antidrogë për të zbuluar sasinë e lëndës narkotike.

Gjykatësi i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Hetimit Numër Tre të Teruelit ka urdhëruar që katër të arrestuarit të mbeten në paraburgim. Ata akuzohen për kultivim të paligjshëm, trafik droge dhe përkatësi në organizatë kriminale.

Ky operacion tregon se autoritetet spanjolle po përdorin gjithnjë e më shumë teknologji për të luftuar kultivimin e kanabisit në zonat e vështira të vendit, ku grupet kriminale kërkojnë të fshihen nga sytë e ligjit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033