Nisur nga ngjarjet ditët e vitet e fundit, gjithnjë e më shumë po shohim se të rinjtë po bien pre e ndikimeve negative nga rrjetet sociale dhe mediat. Videoklipe të mbushura me armë, makina luksoze dhe para të shumta, këto po shiten si “sukses” – por në të vërtetë janë shembuj që i largojnë të rinjtë nga rruga e drejtë.
Rrjetet sociale kanë fuqinë të formësojnë mendjen e një të riu. Kur dhuna dhe kriminaliteti promovohen si diçka e bukur, bëhet shumë e vështirë që një adoleshent të bëjë dallimin mes realitetit dhe imazhit të rremë që i shitet në ekran.
Familja ka një rol vendimtar. Është e domosdoshme që prindërit të jenë pranë fëmijëve të tyre, t’i udhëzojnë, t’i dëgjojnë dhe t’u mësojnë vlerat e vërteta. Nëse mungon komunikimi dhe kujdesi, boshllëkun e mbush rruga dhe interneti – shpesh me pasoja tragjike.
Televizioni dhe platformat online duhet të mbajnë përgjegjësi për përmbajtjen që transmetojnë. Dhuna nuk mund të shihet si argëtim, dhe as si model suksesi.
Familjet shqiptare dhe shoqëria sot, po humbasim të rinj çdo ditë – jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht. Është koha të marrim masa. Të ndalim promovimin e shembujve të gabuar dhe t’i japim rinisë modele të shëndetshme, që frymëzojnë dhe ndërtojnë të ardhmen.
Ndryshimi nis nga familja, nga shoqëria, nga institucionet, nga secili prej nesh që jemi pjesë e kësaj shoqërie. Të gjithë duhet të kujdesemi për rininë, para se të jetë tepër vonë.
Për TV Apollon: Ndriçim Gjoshi


