Donald Trump dhe Vladimir Putin në konferencën e përbashkët për shtyp për një marrveshje për luftën, ja konkluzionet

Trump dhe Putin u takuan në Alaskë me shumë shfaqje dhe retorikë, por pa një marrëveshje konkrete, duke lënë pezull çështjen e Ukrainës dhe presionin mbi Zelenskyn.

Në Anchorage të Alaskës, Presidenti Donald Trump priti homologun rus Vladimir Putin me një pritje të stolisur me avionë luftarakë, tapet të kuq dhe sloganin “Pursuing Peace”. Megjithatë, pas gati tre orësh bisedimesh, samiti përfundoi pa ndonjë rezultat të qartë.

Të dy liderët u shfaqën në një konferencë të përbashkët për shtyp, duke folur për “progres” në bisedime, por pa ofruar detaje konkrete mbi atë çfarë ishte arritur. Konferenca u ndërpre papritur dhe asnjëri prej tyre nuk pranoi pyetje nga gazetarët.

Ajo që u bë e qartë ishte fakti se nuk kishte marrëveshje. Trump, i cili kishte paralajmëruar se dëshironte një armëpushim në fund të samitit, i zhvendosi përgjegjësitë tek presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke theksuar se “duhet bërë një marrëveshje”.

Në fjalët e tij, Trump tha se “u ra dakord për shumë pika, shumicën e tyre”, por pranoi se disa çështje madhore mbetën pa zgjidhje. “Nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje”, deklaroi ai, duke mbyllur fjalën me një ton të dyshimtë.

Samiti i Alaskës u duk më shumë si një skenografi për t’i hapur Putinit derën e rikthimit në diplomacinë ndërkombëtare, sesa një hap drejt zgjidhjes së luftës. Megjithatë, vështirësitë e misionit të Trump u dukën që në fillim, teksa në Ukrainë u dhanë alarme për dronë dhe avionë rusë, ndërkohë që në SHBA Putin pritej me nderime.

Trump e quajti takimin “jashtëzakonisht produktiv” dhe insistoi se vetëm pak pika kishin mbetur pezull. Ai shtoi se një prej tyre ishte më e rëndësishmja, por se kishte “shanse të mira për t’u arritur”. Megjithatë, ai nuk dha detaje për çështjen më të ndjeshme të negociatave: territoret dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Në një intervistë pas takimit, Trump la të kuptohet se kishte diskutuar për lëshime territoriale për Rusinë dhe garanci sigurie për Ukrainën, por theksoi se Zelensky “duhet të pajtohet”. Këshilla e tij për liderin ukrainas ishte e thjeshtë: “Duhet të bëjë një marrëveshje”.

Trump kishte paralajmëruar para se të nisej drejt Anchorage se do të largohej nga samiti nëse nuk i pëlqenin përgjigjet e Putinit dhe se Moska do të përballej me “pasoja të rënda” nëse lufta nuk do të ndalej. Por pas takimit, pamja e suksesit ishte po aq e paqartë sa më parë.

Në intervistën për Fox News, Trump deklaroi se si Putin, ashtu edhe Zelensky, dëshironin praninë e tij në një takim të mundshëm të dytë. “Të dy duan që unë të jem aty, dhe unë do të jem aty,” tha ai. Megjithatë, gjatë konferencës me Putinin nuk përmendi një format trepalësh, duke lënë të kuptohet se bisedimet e ardhshme do të mbeten dypalëshe.

Në skenën e Alaskës, rikthimi i Putinit ishte i dukshëm. Ishte vizita e tij e parë në SHBA pas një dekade dhe e para pas pushtimit të Ukrainës që e shndërroi në një të padëshiruar për botën perëndimore. Për Rusinë, vetë fakti që Putini zbarkoi në territor amerikan me tapet të kuq dhe buzëqeshje krah Trumpit ishte një fitore simbolike.

Pamja e Putinit duke hyrë në automjetin e blinduar të Trumpit u shfaq në mediat ruse si një triumf diplomatik. Edhe pse pa rezultate konkrete, vetë prania e tij në një samit të tillë tregonte fundin e izolimit të tij.

Megjithatë, formati i takimit ndryshoi në minutën e fundit. Fillimisht ishte paralajmëruar një takim kokë më kokë mes dy liderëve, vetëm me përkthyesit përkatës. Por pak para nisjes, u shtuan edhe dy ndihmës për secilin lider. Shtëpia e Bardhë nuk dha shpjegime për këtë ndryshim.

Kjo ngjalli kujtime nga takimet e mëparshme të Trump me Putinin, të cilat shpesh mbeteshin të mbuluara nga misteri. Me vetëm një përkthyes në dhomë, shpesh ishte e paqartë se çfarë ishte diskutuar dhe nëse ishin arritur marrëveshje. Madje, pas një takimi në Gjermani, Trump i kishte kërkuar përkthyesit të tij të shkatërronte shënimet.

Samiti i Anchoragit, për nga shfaqja dhe retorika, i dha Putinit një platformë të re, ndërsa Trump tentoi të pozicionohej si njeriu që mund të ndërmjetësojë paqen. Por në fund, as armëpushimi nuk u arrit, as marrëveshja nuk u qartësua, duke e lënë të hapur pyetjen se çfarë do të vijë më tej.

Ndaj Postimin: