Mbrojtësi Arsid Kruja, i shpallur lojtari më i mirë i Superiores sezonin e kaluar, pritet të largohet nga Vllaznia pas mosbindjes së klubit me formën e tij.
Vllaznia ka qenë mjaft aktive këtë verë në merkato, duke sjellë disa përforcime, por jo çdo afrim i ka justifikuar pritshmëritë. Një prej tyre është edhe Arsid Kruja, i cili vetëm pak muaj pas rikthimit në Shkodër mund të largohet sërish.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se stafi teknik dhe drejtuesit nuk janë të kënaqur me paraqitjet e tij në ndeshjet europiane, ku kontributi i pritshëm nuk është parë në fushë. Trajneri Martini, si pasojë, ka nisur të kufizojë minutat e tij, duke e aktivizuar pjesërisht në sfida të rëndësishme, si ajo ndaj Vikingur në transfertë, ku Kruja u fut në pjesën e dytë dhe u zëvendësua gjatë shtesave.
Aktualisht, opsioni kryesor në tryezë është prishja e kontratës me mirëkuptim, duke e lejuar Krujën të largohet si lojtar i lirë për të gjetur një skuadër të re përpara nisjes së sezonit. Ky zhvillim është i papritur, sidomos duke pasur parasysh se sezonin e kaluar ai u shpall lojtari më i mirë i Superiores sipas të dhënave statistikore të “SofaScore”, me diferencë të theksuar nga ndjekësit më të afërt.
Rikthimi i tij te Vllaznia në verë u cilësua si një “goditje e madhe” e merkatos për klubin shkodran, por duket se situata ka ndryshuar shpejt. Vendimi për t’u ndarë me një nga lojtarët më të vlerësuar të kampionatit tregon se klubi po kërkon menjëherë alternativa që përputhen më shumë me planet e tij sportive.
Për momentin, nuk ka ende një destinacion të konfirmuar për Krujën, por pritet që oferta për të të mos mungojnë, duke pasur parasysh reputacionin e tij dhe statistikat mbresëlënëse të sezonit të kaluar. Largimi i tij do të mbyllte një kapitull të shkurtër, por të bujshëm, në historinë e afërme të Vllaznisë.


