Gjykata e Posaçme refuzoi sot kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest në burg në një masë më të butë.
Seanca u zhvillua para gjyqtarit Erjon Çela, pasi javën e kaluar gjyqtari Erjon Bani shpalli moskompetencën për çështjen. Avokatët e Metës kishin kërkuar që masa të zëvendësohej me bllokim të pasaportës, duke argumentuar se nuk ekziston asnjë rrezik që ai të largohet nga vendi.
Në sallë, mbrojtja theksoi se gjykata duhet të marrë parasysh jo vetëm historikun e tij si ish-kryeministër, ish-kryetar kuvendi dhe ish-president, por edhe faktin se aktualisht Meta drejton Partinë e Lirisë, forcën e dytë opozitare në vend.
Seanca e kaluar ishte shtyrë pikërisht për shkak të kërkesës së avokatit Kujtim Cakrani, i cili insistoi që çështja të shqyrtohej nga gjyqtari Erjon Çela, i përfshirë në hetimin fillestar. Për shkak të pushimeve të Çelës, shqyrtimi iu caktua përkohësisht gjyqtarit Bani, i cili megjithatë vendosi moskompetencë.
Meta akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, me çështje që lidhen me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.
Ai u arrestua më 21 tetor 2024 dhe që prej asaj date ndodhet në paraburgim nën masën “arrest me burg”. Vendimi i sotëm i GJKKO-së e lë të pandryshuar këtë masë, ndërsa hetimet ndaj tij vijojnë.


