Gramshi vijon të digjet prej dy ditësh, me dhjetëra banesa të shkatërruara dhe flakë që po përhapen drejt zonave rurale të Korçës e Teqesë së Dushkut.
Për dy ditë me radhë, bashkia e Gramshit po përballet me një situatë të paprecedentë nga zjarret, të cilat kanë përfshirë qindra hektarë pyje, kullota dhe sipërfaqe të banuara. Autoritetet raportojnë se gjendja është kritike, sidomos në disa fshatra ku ndërhyrjet nga toka dhe ajri po zhvillohen me intensitet maksimal për të frenuar përhapjen e flakëve.
Fshati më i goditur deri tani është Menkollar, ku flakët po shtyhen me shpejtësi nga era e fortë dhe terreni i thyer. Në terren ndodhen tre mjete zjarrfikëse, forca të ushtrisë, zjarrfikës, banorë dhe vullnetarë, ndërsa dy helikopterë po kryejnë hedhje të vazhdueshme uji për të parandaluar përhapjen e zjarrit në drejtim të fshatit Nartë.
Në Skënderbegas, zjarri është riaktivizuar, duke përfshirë një lagje pranë gjimnazit të fshatit. Banorët janë evakuuar me urgjencë, ndërsa ekipet e emergjencës po luftojnë për të shpëtuar çdo banesë. Një tjetër vatër aktive është afër fshatrave Ermenj dhe Koshnicë, ku flakët janë afruar në distanca shqetësuese nga zonat e banuara.
Rreziku tashmë po i afrohet edhe Qarkut të Korçës, çka ka detyruar nisjen e një helikopteri të tretë për ndërhyrje ajrore. Në të njëjtën kohë, në zonën e Teqesë së Dushkut vijon djegia e sipërfaqeve të mëdha me pyje dhe kullota. Dymbëdhjetë punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura Elbasan po punojnë në terren me pajisje manuale për të mbrojtur zonën pyjore dhe objektin historik të Teqesë, i cili ndodhet në rrezik të drejtpërdrejtë.
Në Kodovjat, pranë Posnovishtit, situata paraqitet më e qetë, por monitorimi vijon pa ndërprerje për të parandaluar riaktivizimin e flakëve. Aktualisht janë të angazhuara 6 mjete zjarrfikëse dhe 55 efektivë të ushtrisë, ndërsa priten përforcime nga bashkitë fqinje.
Sipas bilancit zyrtar, deri tani janë djegur 39 banesa: 5 në Bletëz, 3 në Zenelaj, 8 në Skënder, 3 në Shimer, 5 në Harunas dhe 15 në Kullollas. Dhjetëra familje kanë mbetur pa strehë, ndërsa autoritetet kërkojnë mbështetje të menjëhershme teknike e logjistike për të shmangur një katastrofë më të madhe. Përveç dëmeve të rënda materiale, raportohen një viktimë dhe disa të plagosur, ndërsa fati i zonës do të varet nga kushtet atmosferike dhe efikasiteti i operacioneve në ditët e ardhshme.


