Rënia e lindjeve thellohet, vendi përballet me krizë demografike

Numri i lindjeve bie ndjeshëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, duke shtuar frikën për efektet afatgjata në popullsi dhe ekonomi

Rënia e lindjeve në vend po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, duke paralajmëruar pasoja serioze për dekadat e ardhshme. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 kanë lindur vetëm 9.644 fëmijë, një rënie prej 6,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kjo tendencë është edhe më alarmante duke pasur parasysh se në vitin 2024 u shënua një ulje prej 5% në krahasim me 2023-in.

Shtesa natyrore në tremujorin e dytë të vitit 2025 ishte pothuajse zero, me vetëm 48 lindje më shumë se numri i vdekjeve. Nga janari në qershor, janë regjistruar 4.340 lindje në tremujorin e parë dhe 4.982 në të dytin, ndërsa një vit më parë shifrat ishin ndjeshëm më të larta.

Pothuajse të gjitha qarqet kanë përjetuar ulje të lindjeve, përveç disa përjashtimeve të rralla. Tirana, edhe pse mbetet kryeqendra me numrin më të madh të lindjeve, ka pësuar rënie të dukshme. Gjirokastra dhe Kukësi mbeten në fund të tabelës me shifra minimale, duke reflektuar hendekun e madh mes zonave urbane dhe atyre periferike.

Në tremujorin e dytë të vitit 2025, vetëm Kukësi ka shënuar rritje të lindjeve, me 6,5% më shumë se një vit më parë. Në kontrast, Korça ka përjetuar rënien më të madhe, me 26% më pak lindje. Tirana kryeson listën me 1.982 lindje, ndërsa Gjirokastra ka regjistruar vetëm 74.

Ekspertët paralajmërojnë se ky trend do të godasë fort tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe qëndrueshmërinë e popullsisë aktive. Politikat e deritanishme për nxitjen e lindshmërisë nuk kanë sjellë rezultatet e pritshme, duke lënë të hapur nevojën për masa më të forta dhe të menjëhershme.

Arsyet e rënies janë të shumëfishta: emigracioni i lartë i moshave riprodhuese, sidomos nga zonat rurale, ulja afatgjatë e shkallës së fertilitetit dhe pasiguria ekonomike. Çiftet gjithnjë e më shpesh shtyjnë vendimin për të pasur fëmijë për shkak të kostove të larta të jetesës, mungesës së sigurisë në punësim dhe çmimeve të papërballueshme të banesave.

Kombinimi i këtyre faktorëve ka krijuar një “spiral rënieje” që vështirë se do të ndalet pa një ndryshim të thellë në politikat sociale, ekonomike dhe demografike të vendit.

Ndaj Postimin: