Banori i asfiksuar nga tymi tregon nga spitali tmerrin që përjetoi, duke rrëfyer se u shpëtua vetëm nga ndërhyrja e ushtrisë dhe policisë.
Një banor nga fshatrat e Gramshit, i cili u asfiksua nga tymi i zjarreve, po merr trajtim mjekësor në spitalin e qytetit. Pranë tij ndodhej edhe kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, që e shoqëronte gjatë mjekimit. Ai tregoi se flakët kanë shkatërruar çdo gjë në zonë, përfshirë banesat dhe bagëtitë.
Gjendja e tij shëndetësore është tashmë jashtë rrezikut, por rreziku ishte real. Ai pranoi se vendimi për të mos u larguar nga shtëpia mund t’i kishte kushtuar jetën, nëse forcat e ushtrisë dhe policisë nuk do ta kishin nxjerrë me forcë nga zona e rrezikut.
Banori, i cili ishte i vetëm në momentin e zjarrit pasi gruaja dhe djali ndodheshin në spital, këmbënguli se nuk donte të largohej. Shkaku ishte frika për të humbur banesën dhe gjënë e gjallë që kishte.
“Situata ishte e rëndë, gjithçka u dogj. Në fshatin Skënderbegas nuk ka mbetur asgjë, disa fshatra të tjerë janë zhdukur nga flakët,” – u shpreh ai.
Ai tregoi se zjarri u përhap me shpejtësi marramendëse. “E shikonim nga malet, por brenda pak minutash ishte te shtëpia. Kisha rreth 10 kuintalë ujë dhe u përpoqa ta shuaja,” – tha ai, duke theksuar se pa ndërhyrjen e ushtrisë dhe policisë nuk do të kishte ikur.
Rrëfimi i tij pasqyron dramën që po kalojnë banorët e zonave të përfshira nga zjarret, ku jo vetëm humbjet materiale janë të mëdha, por edhe rreziku për jetën është i pranishëm në çdo moment.
Autoritetet vazhdojnë përpjekjet për të izoluar flakët, ndërsa banorët mbeten në ankth për sigurinë e shtëpive dhe bagëtive të tyre.


