Banorët e Gramshit akuzojnë shtetin për dështim në përballimin e flakëve

Banorë të evakuuar nga fshatrat e përfshira nga zjarret në Gramsh akuzojnë autoritetet për reagim të vonuar dhe mungesë veprimesh për të shpëtuar shtëpitë e tyre.

Zjarret masive që përfshinë disa zona të Gramshit kanë lënë pas dhjetëra familje pa strehë, ndërsa dëshmitë e banorëve të prekur tregojnë një panoramë të qartë të mungesës së koordinimit institucional. Ata shprehen se shteti reagoi shumë vonë dhe nuk mori masa të mjaftueshme për të parandaluar shkatërrimin.

“Shkrumb me banesë, me bagëti, me gjithçka. Zjarri na erdhi në këmbë, ikëm siç ishim. Për çfarë e kemi shtetin? Mundësitë për ta fikur zjarret ishin, por nuk u bë asgjë. Në orën 09:00 erdhi vetëm një zjarrfikëse. Rroftë autobusi i fshatit që na mori, përndryshe do të ishim djegur si minjtë,” tregon një banore.

Një tjetër dëshmitar thotë se po të mos i kishte larguar policia, do të kishin mundur të shpëtonin shtëpitë. “Shtëpia e vëllait m’u dogj. Janë djegur tre-katër shtëpi. Erdhi policia dhe na mori me forcë. Nuk pranuam të iknim, por na detyruan,” rrëfen një banor tjetër.

Banorët theksojnë se flakët ishin të përmasave të mëdha dhe përparuan me shpejtësi, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Disa prej tyre qëndruan deri në momentet e fundit pranë shtëpive, por u detyruan të largoheshin pa mundur të shpëtonin pronën.

Pavarësisht paralajmërimeve për rrezikun e përhapjes së zjarrit, reagimi i autoriteteve, sipas banorëve, ishte minimal. Ata kërkojnë që të rishikohet mënyra se si shteti menaxhon emergjencat, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten.

Në Gramsh, pas shuarjes së flakëve, ka mbetur vetëm tymi dhe hiri, ndërsa familjet e dëmtuara përballen me humbje të pakthyeshme dhe me pyetjen e hidhur: ku ishte shteti kur shtëpitë e tyre po digjeshin?

Ndaj Postimin: