Humb jeten adoleshenti i aksidentuar në Fier

Djali 15-vjeçar që u shpëtua me guxim nga efektivi Klajdi Mustaj pas aksidentit në “Qafa e Koshovicës” nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.

Një tragjedi e rëndë ka tronditur Fierin, ku i mituri 15-vjeçar, viktimë e një aksidenti rrugor disa ditë më parë, ndërroi jetë në spitalin e Traumës. Fatkeqësia erdhi vetëm pak ditë pasi ai ishte nxjerrë gjallë nga automjeti i shkatërruar, falë guximit të efektivit 26-vjeçar, Klajdi Mustaj.

Ngjarja ndodhi në zonën e njohur si “Qafa e Koshovicës”, kur automjeti me të cilin udhëtonin katër persona humbi kontrollin, u përmbys dhe mbeti i bllokuar në anë të rrugës. Të gjithë pasagjerët, përfshirë edhe djalin, mbetën të plagosur brenda.

Sipas dëshmitarëve, automjeti ishte në rrezik shpërthimi për shkak të dëmtimit të rëndë dhe rrjedhjeve të karburantit. Në ato momente vendimtare, efektivi Mustaj ndërhyri pa hezitim, duke u futur në mjet dhe duke nxjerrë një nga një personat e lënduar.

Përpjekja e tij u vlerësua si akt heroik, pasi rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar të tjerët. Fatkeqësisht, pavarësisht ndihmës së shpejtë dhe trajtimit mjekësor, adoleshenti nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Ndaj Postimin: