Një 41-vjeçar nga Mbrostar Ura u arrestua pasi u kap duke ndezur zjarr, që shkrumboi sipërfaqe toke me shkurre pranë urës së Hoxharës së Vjetër.
Policia e Fierit ka vënë në pranga një shtetas 41-vjeçar, i identifikuar si J. S., banues në Mbrostar Ura, i cili akuzohet për zjarrvënie. Arrestimi u bë pas një operacioni të koordinuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në kuadër të hetimeve për parandalimin e zjarreve të qëllimshme.
Sipas njoftimit zyrtar, patrullat e përgjithshme të Komisariatit të Fierit e kapën autorin në flagrancë, teksa po ndizte zjarr pranë urës së fshatit Hoxharë e Vjetër. Era e fortë ndihmoi përhapjen e flakëve, duke shkrumbuar një sipërfaqe toke të mbuluar me bimësi dhe shkurre.
Burime nga grupi hetimor konfirmojnë se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për vijimin e procedurave ligjore ndaj të dyshuarit.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka bërë apel të fortë ndaj qytetarëve që të shmangin ndezjen e zjarreve në çdo rrethanë, duke paralajmëruar se autorët do të përballen me ndëshkime të rënda ligjore.
Institucioni kërkon gjithashtu bashkëpunimin e komunitetit për raportimin e menjëhershëm të rasteve të ngjashme, duke kujtuar se numri pa pagesë 112 është i hapur 24 orë dhe garanton anonimat të plotë.
Policia thekson se reagimi ndaj zjarrvënieve dhe veprimtarive të tjera të paligjshme do të jetë i menjëhershëm dhe i paanshëm, me qëllim mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve dhe të mjedisit.


