Tregu i makinave në shqipëri shënon rënie të importeve në 2025

Importet e makinave në Shqipëri ranë në pesëmujorin e parë të 2025, ndërsa Koreja e Jugut vijon të kryesojë me çmime konkurruese dhe pjesë të lartë të tregut.

Tregu i automjeteve në vend duket se ka hyrë në një fazë ngopjeje gjatë vitit 2025. Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor (DPSHTRR) tregojnë se nga janari në maj u regjistruan për herë të parë 38 mijë mjete, nga të cilat 30.9 mijë ishin autovetura. Kjo është një rënie prej 8.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur u arrit rekordi prej 41.6 mijë regjistrimesh.

Viti 2024 kishte shënuar një nivel historik me 99.4 mijë mjete të regjistruara, të nxitura kryesisht nga fluksi i madh i automjeteve nga Koreja e Jugut. Vetëm nga ky shtet u regjistruan 18.8 mijë automjete, që përbënin 19% të totalit dhe e pozicionuan atë si importuesin kryesor.

Edhe në fillim të vitit 2025, Koreja e Jugut ruajti dominimin, me 7.753 mjete të regjistruara, ose 20.4% të tregut. Çmimet e leverdisshme dhe procedurat e thjeshtuara të blerjes, qoftë online me pagesë të tarifave të inspektimit dhe transportit, qoftë përmes agjencive të specializuara, e kanë bërë këtë burim gjithnjë e më të preferuar për blerësit shqiptarë.

Italia renditet e dyta me 6.116 mjete (16%), e ndjekur nga Gjermania me 6 mijë mjete (15.9%), Zvicra me rreth 3.4 mijë mjete (9%) dhe SHBA me gati 3 mijë mjete (7.8%). Kina mbyll listën e vendeve kryesore me 2.8 mijë mjete (7.3%). Kërkesa është ndikuar edhe nga turizmi, që ka rritur nevojën për mjete të vogla transporti, taksi dhe makina me qira, ndonëse tregu duket se ka arritur kufirin e kapaciteteve.

Sipas Ministrisë së Financave, rënia e importeve ka ndikuar negativisht në të ardhurat doganore. Në pesëmujorin e parë të vitit 2025, automjetet e përdorura sollën 665 milionë lekë më pak në buxhet, ndërsa automjetet e reja rreth 333 milionë lekë më pak, një rënie prej 27% krahasuar me vitin e kaluar.

Statistikat tregojnë se flota e autoveturave në Shqipëri mbetet e vjetëruar. Nga 738 mijë mjete në qarkullim në qershor 2024, rreth 73% ishin mbi 15 vjet të vjetra, 20% kishin moshë 9-15 vjet dhe vetëm 12% ishin më të reja se 4 vjet. Kjo situatë ngre shqetësime për sigurinë rrugore dhe ndikimin mjedisor të automjeteve në qarkullim.

Ndaj Postimin: