Shembja e objektit pa leje pranë aksit Vlorë-Orikum, 32 kg tritol sheshuan godinën, reagon Rama.

Një ndërtesë trekatëshe u shemb me shpërthim të kontrolluar në Vlorë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë masa të forta kundër çdo ndërtimi pa leje ose me shkelje të lejes.

Një ndërtesë trekatëshe e ndërtuar pa leje në beton-arme u rrëzua mëngjesin e së hënës pranë aksit rrugor Vlorë–Orikum. Shembja u krye në orën 07:30 nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) përmes një shpërthimi të kontrolluar.

Sipas të dhënave zyrtare, në objekt u vendosën 32 kilogramë lëndë plasëse, të shpërndara në 410 furnela. Për të siguruar efektin e plotë, u përdorën gjithsej 1,100 metra linearë fitil detonant. Operacioni u shoqërua me bllokimin e përkohshëm të qarkullimit në segmentin Vlorë–Orikum.

IKMT bëri të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, u morën të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e banorëve dhe përdoruesve të rrugës gjatë procesit të demolimit.

Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë pas aksionit, duke publikuar pamje nga momenti i shpërthimit. Ai e cilësoi këtë ndërhyrje si pjesë të një fushate të vendosur për të ndalur ndërtimet pa leje dhe çdo abuzim me lejet ekzistuese.

Në mesazhin e tij publik, Rama theksoi se ky është një hap i rëndësishëm në “kapitullin e fundit të betejës” kundër paligjshmërisë urbane, e cila, sipas tij, dëmton dhe shëmton hapësirat e përbashkëta ku jetojnë qytetarët.

Kryeministri u shpreh i vendosur se ky proces do të vazhdojë deri në heqjen e çdo ndërtese që është ngritur në kundërshtim me ligjin, duke paralajmëruar se nuk do të ketë tolerim për shkelësit.

Mesazhi i tij u shoqërua edhe me një përshëndetje për qytetarët, duke u uruar një javë të mbarë, ndërsa nënvizoi se veprime të tilla do të vazhdojnë në të gjithë vendin.

Ky operacion shënon një tjetër ndërhyrje të fortë të autoriteteve në vijën bregdetare, ku vitet e fundit janë evidentuar qindra raste të ndërtimeve të paligjshme.

Ndaj Postimin: