Gara për drejtimin e Fest ’64 ndez rivalitetin Luana-Arbana

Dy moderatoret e njohura, Luana Vjollca dhe Arbana Osmani, kanë dorëzuar projektet për drejtimin e Festivalit të RTSH, duke rikthyer rivalitetin e hershëm mes tyre.

Përgatitjet për edicionin e 64-të të Festivalit të RTSH kanë hyrë në një fazë të nxehtë. Pas publikimit të spotit zyrtar nga Elhaida Dani, prapaskenat e ngjarjes muzikore më të madhe në vend janë mbushur me lëvizje dhe emra të njohur të ekranit.

Burime pranë RTSH konfirmojnë se Luana Vjollca ka dorëzuar platformën e saj zyrtare për prezantimin e spektaklit, duke propozuar edhe emrin e skenaristit që do të ndërtojë konceptin artistik të ngjarjes. Aktualisht, projekti i saj është në shqyrtim nga Drejtoria e Përgjithshme e RTSH, pa një vendim përfundimtar.

Nga ana tjetër, edhe Arbana Osmani ka hyrë fuqishëm në garë, duke paraqitur një projekt të detajuar që përfshin ekipin teknik dhe krijues, mes tyre kameramanin, regjisorin dhe skenaristin me të cilët synon të realizojë spektaklin.

Ky zhvillim ka rikthyer në vëmendje rivalitetin mes dy moderatoreve, i cili nisi që në edicionin e parë të “Big Brother VIP Albania”. Në atë kohë, Luana ishte ndër kandidatet për moderim, por drejtimin e mori Arbana, duke çuar në ftohjen e marrëdhënieve mes tyre.

Sipas burimeve, kjo është hera e parë pas disa vitesh që të dyja hyjnë në një garë të hapur profesionale për të njëjtin projekt, duke i shtuar prapaskenës së Fest ’64 edhe një dimension të fortë rivaliteti personal.

Vendimi përfundimtar i RTSH pritet të bëhet publik në javët në vijim, duke përcaktuar se cila prej tyre do të ngjitet në skenën më prestigjioze të muzikës shqiptare.

Ndaj Postimin: