Qeveria e Edi Ramës harxhoi 26 milionë euro për një incenerator të prishur, ndërsa mali i plehrave rritet dhe qyteti helmatiset çdo vit.
Kryeministri Edi Rama prej gati një dekade i përgjigjet akuzave për aferën e inceneratorit të Elbasanit me të njëjtën alibi: disa bashkëpunëtorë të tij përfunduan në burg, por “impianti modern” vazhdon të djegë mbeturina dhe të prodhojë energji. Kjo justifikim përdoret si mburojë ndaj skandalit që çoi pas hekurave Lefter Kokën, Alqi Bllakon dhe përfshiu të arratisurit Klodian Zoto, Klodian Mërtiri e Stela Gugallja.
Në fushatën e vitit 2023, Rama u tha qytetarëve të Elbasanit se pavarësisht “problemeve” dhe “atyre që deshën të nxirrnin mjaltë nga plehrat”, impianti funksionon dhe qyteti ka ajër të pastër. Por realiteti është i kundërt. Impianti, për të cilin u paguan 26 milionë euro, u tregua një pajisje e braktisur pranë malit me plehra, që vetëm për pak muaj duket se punoi përpara se të fiket.
Zyrtarët lokalë, të lidhur me propagandën qeveritare, për vite kanë pretenduar se inceneratori është në punë, ndonëse herë e justifikonin me defekte të përkohshme, herë flisnin për kapacitete të kufizuara dhe herë mashtronin hapur duke thënë se prodhohet energji. Ndërkohë, çdo dimër mali me mbeturina zgjerohet, e çdo verë shpërthen në zjarr, duke mbuluar qytetin me re të zeza tymi.
Situata ndryshoi kur, në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të zbardhur nga gazetarja Bardha Nergjoni, administratori i Eco-Elb, Leli Kaja, pranoi publikisht se landfilli aktual është i tejmbushur dhe disa skarpata janë shembur. Ai paralajmëroi se mbi 150 ton mbetje hyjnë çdo ditë, duke e bërë të pamundur menaxhimin pa ndërtuar një landfill të ri.
Edhe kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, u detyrua të pranojë realitetin para këshilltarëve, duke deklaruar se bashkia nuk ka fonde dhe i ka kërkuar qeverisë shqiptare të financojë një landfill të ri. Ai u shpreh i gatshëm të shqyrtojë edhe zona të tjera për vendndodhjen.
Projekti i inceneratorit në Elbasan, i nisur nga qeveria Rama, u miratua me një procedurë të paligjshme “negocim pa shpallje”, të ideuar nga Lefter Koka. Rama shmangu firmosjen për të mos u përfshirë direkt, por e mbështeti politikisht projektin, pasi i duheshin votat e Kokës për zgjedhjet e vitit 2017. Vendimi u firmos nga zëvendëskryeministri i atëhershëm, Niko Peleshi, dhe më pas u korrigjua për një “gabim teknik”.
Pavarësisht alibive, para zgjedhjeve të 2017-s, Rama organizoi një aktivitet të Partisë Socialiste në inceneratorin e Elbasanit, duke e përdorur si garanci politike për Kokën, i cili në fund u la i vetëm për të mbajtur përgjegjësinë penale të të tre aferave të inceneratorëve.
Ndërsa plehrat në Elbasan vazhdojnë të grumbullohen, zyrtarët lokalë përballen me presion për të heshtur mbi djegien në qiell të hapur që helmon qytetarët. Në një takim në Kryeministri, Rama kritikoi publikisht Llatjën për një zjarr në varrezat e qytetit, në një sinjal të qartë për pasojat që mund të ketë mosbindja.