Ministri Pirro Vengu konfirmon se zjarret në Finiq janë nën kontroll pas ndërhyrjeve nga toka dhe ajri, duke shmangur dëme të mëdha në jetë dhe prona.
Pas një nate të tensionuar në fshatrat e Finiqit, flakët u përhapën me intensitet të lartë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se situata është stabilizuar falë operacioneve të koordinuara, ku u përdor edhe një helikopter për të ndalur përhapjen e zjarrit.
Sipas tij, gjatë mëngjesit janë zhvilluar aksione nga ajri për të siguruar zonat e rrezikuara, duke mbrojtur perimetrin dhe infrastrukturën kritike. “Prioritet ishte siguria e banorëve. Ndërhymë fillimisht në zonat e banuara, ku nga ora 22:00 deri pas mesnate kryem evakuime të përkohshme. Më pas u kontrolluan shtëpi më shtëpi”, tha Vengu.
Ai theksoi se dëmet e konstatuara deri tani janë minimale, pavarësisht intensitetit të flakëve. Operacionet e shpejta në terren kanë shmangur humbjet në njerëz dhe dëme serioze në pronë. Një ndër prioritetet kryesore ishte mbrojtja e hidrocentralit të Bistricës, ku u krijua një perimetër sigurie për të eliminuar çdo rrezik.
Për të garantuar ndërhyrjen nga ajri në kushte optimale, u vendos pezullimi i qarkullimit të mjeteve nga Muzina drejt Bistricës. Ministri bëri të ditur se ndërhyrjet ajrore nisën herët në mëngjes dhe do të vazhdojnë me mbështetjen e një avioni Canadir të dërguar nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së.
Operacionet po shtrihen edhe në zonën e Dhrovjanit, ku dronët Bayraktar kanë identifikuar disa vatra të vogla zjarri që kërkojnë mbikëqyrje për të shmangur përhapjen. “Këto vatra duhet të mbahen nën kontroll për të mos rrezikuar terrene të tjera”, u shpreh ministri.
Megjithatë, situata mbetet e ndërlikuar edhe në zona të tjera të vendit. Vengu njoftoi se janë aktive vatra në Bulqizë, Mat, Bolenë të Himarës dhe Tepelenë. “Finiqi mbetet më problematiku për nga përhapja e flakëve, por jemi në gatishmëri të plotë”, deklaroi ai.
Ministria ka kërkuar angazhim maksimal nga të gjitha bashkitë, duke përfshirë edhe përdorimin e mjeteve private si betonieret për transportin dhe shpërndarjen e ujit në terrenet e vështira. Kjo, sipas tij, është një masë shtesë për të reaguar shpejt në çdo vatër të re që mund të shfaqet.
Vengu apeloi për vigjilencë dhe bashkëpunim të plotë, duke theksuar se çdo minutë është vendimtare në parandalimin e përhapjes së zjarreve dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.
“Aktualisht situiata paraqitet më në kontroll, kemi pasur ndërhyrje nga ajri në orët e para të mëngjesit. Vijon operacioni për të siguruar perimetrin dhe infrastrukturën kritike. Do të vijojmë të jemi prezentë gjatë ditës. Në bazë të protokolleve tona, ndërhymë fillimisht në zonat e banuara, rreth orës 22:00 deri në mesnatë bëmë evakuimin e përkohshëm të fshatrave të rrezikuara. Më pas forcat ndërhynë shtëpi më shtëpi. Nga vlerësimet paraprake dëmet janë minimale duke marrë parasysh vatrën intensive. Këto ndërhyrje në terren kanë mundësuar që të mos kemi në jetë njerëzish e në prona. Më pas ndërhymë për të krijuar perimetrin e sigurisë në hidrocentralin e Bistricës. Rreziku është larguar nga hidrocentrali. kërkuar që të pezullohet aksesi i mjeteve nga muzina drejt Bistricës që të vijojë aktiviteti i ndërhyrjes nga ajri në kushte optimale. Ka nisur ndërhyrja nga ajri që në orët e para të mëngjesit për më shumë se një orë. Do të ndërhyjmë me një mjet Canadir në Dhrovjan, ku kemi konsutatuar me dronët Bayraktar disa vatra të vogla dhe duhet t’i mbajmë në kontroll që të mos përhapen.”, u shpreh ministri.