Rritet ndjeshëm fluksi i udhëtarëve në portin e Vlorës

Porti detar i Vlorës ka përjetuar ditën me fluksin më të madh të pasagjerëve dhe automjeteve për sezonin turistik veror 2025.

E shtuna ka sjellë një numër rekord mbërritjesh në portin e Vlorës, duke e kthyer këtë datë në pikën kulmore të lëvizjes detare për këtë verë. Qysh në orët e para, terminali ka pritur një valë të madhe udhëtarësh dhe mjetesh nga linjat ndërkombëtare.

Sipas të dhënave zyrtare, në mëngjes kanë zbarkuar 1 019 pasagjerë dhe 48 anëtarë ekuipazhi. Bashkë me ta, kanë hyrë edhe 267 automjete, 2 kampera, 2 minibusë, 1 autobus dhe 4 motoçikleta.

Autoritetet portuale e konsiderojnë këtë si një tregues të qartë të rritjes së fluksit turistik në qytet, duke theksuar se shifrat pritet të mbeten të larta deri në fund të sezonit.

Ndërkohë, në pasdite pritet mbërritja e tragetit të dytë të ditës, i cili do të sjellë një numër të ngjashëm pasagjerësh dhe mjetesh, duke e përforcuar më tej statusin e kësaj dite si rekorde për këtë vit.

Ky fluks, përveçse dëshmisë së rritjes të turizmit, paraqet edhe sfida për menaxhimin e pritjeve, logjistikën dhe shërbimet në port, të cilat sipas autoriteteve po funksionojnë në kapacitet të plotë.

Ndaj Postimin: