Forcat e Policisë së Shtetit kanë rrethuar godinën e News24 në orët e para të mëngjesit, duke ndaluar hyrjen e gazetarëve dhe paralizuar punën e mediave.
Në një veprim të papritur dhe pa asnjë paralajmërim, policia ka bllokuar ambientet ku operojnë redaksitë e News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare. Veprimet kanë nisur në mëngjes herët, duke shkaktuar shqetësim të madh mes stafit dhe komunitetit mediatik.
Në qendër të aksionit është Ardi Veliu, në rolin e drejtuesit të shoqërisë “KAYO”, i cili pretendon se godina i përket kompanisë së prodhimit të armëve. Kjo ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi motivet dhe ligjshmërinë e ndërhyrjes.
Gazetarët janë penguar të hyjnë në ambientet e redaksive, duke u privuar nga ushtrimi i profesionit të tyre dhe duke cenuar hapur lirinë e medias. Ky veprim është konsideruar nga shumë aktorë si një precedent i rrezikshëm për demokracinë dhe transparencën publike.




Situata është tensionuar edhe më tej pasi policia ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike, duke bllokuar çdo aktivitet të redaksive. Ky ndërprerje jo vetëm ka paralizuar punën e gazetarëve, por ka ndikuar edhe në transmetimet dhe përmbajtjen editoriale të mediave.
Organizatat e gazetarëve dhe shoqëria civile kanë reaguar ashpër, duke kërkuar menjëherë rikthimin e aksesit në ambientet e punës dhe ndalimin e çdo forme presioni mbi median. Ata e kanë cilësuar këtë veprim si një përpjekje për të heshtur zërat kritikë dhe për të kontrolluar informacionin.
Aktualisht, situata mbetet e tensionuar, ndërsa gazetarët dhe mbështetësit e lirisë së medias presin zhvillimet e radhës, me frikën se ky aksion mund të shënojë një fazë të re të kufizimeve ndaj fjalës së lirë në vend.


