Tatimet raportojnë rritje të fortë të faturimit në tregun agro-ushqimor të Tiranës

Monitorimet e fundit tregojnë një rritje me 60% të faturimit të deklaruar në tregun agro-ushqimor të Tiranës, si rezultat i aksioneve për formalizim dhe siguri ushqimore.

Drejtoria e Tatimeve ka bërë të ditur se kontrollet dhe monitorimet për formalizimin e tregut ushqimor po vijojnë në mënyrë intensive. Administrata Tatimore, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka zhvilluar gjatë javës së fundit një sërë inspektimesh në të gjithë vendin, duke vendosur fokus të veçantë te tregjet agro-ushqimore.

Sipas të dhënave zyrtare, në tregun agro-ushqimor të Tiranës është regjistruar një rritje prej 60% e faturimit të deklaruar, krahasuar me periudhat e mëparshme. Ky rezultat vjen pas nisjes, në fillim të korrikut, të aksionit për formalizimin e tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale, si dhe forcimin e standardeve të sigurisë ushqimore.

Aksioni, i zhvilluar nga Tatimet në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Bujqësisë, ka për qëllim pajisjen e fermerëve me NIPT dhe detyrimin për lëshimin e faturave në çdo hallkë të zinxhirit tregtar. Synimi kryesor është rritja e transparencës, garantimi i gjurmueshmërisë së produkteve dhe ulja e nivelit të informalitetit në sektor.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, kanë theksuar se ky operacion do të sigurojë më shumë kontroll mbi origjinën dhe cilësinë e produkteve ushqimore, duke mbrojtur konsumatorët dhe duke rritur të ardhurat nga tatimet.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka rikujtuar se, sipas udhëzimit nr.16, datë 03.04.2020, i ndryshuar, çdo njësi tregtare që blen mallra nga prodhues bujqësorë apo blegtoralë duhet të pajiset me faturë të fiskalizuar të tipit autofaturim. Ky detyrim zbatohet njësoj si për supermarketet e mëdha, ashtu edhe për tregtarët e vegjël, baret apo restorantet.

Skema e faturimit për mallrat e blera direkt nga fermerët është e njëjtë në të gjithë zinxhirin tregtar, duke përfshirë shitësit me pakicë, përpunuesit dhe grumbulluesit e mëdhenj, çka synon të mbyllë hapësirat për abuzime dhe evazion fiskal.

Ndaj Postimin: