Shqipëria në fund të Europës për fuqinë blerëse të pagës minimale

Të dhënat e Eurostat tregojnë se Shqipëria ka fuqinë blerëse më të ulët në rajon dhe Europë për pagën minimale, duke qëndruar pas edhe vendeve më të varfra.

Shqipëria ka rezultuar vendi me fuqinë blerëse më të ulët për pagën minimale ndër të gjitha vendet e Europës, duke lënë pas vetëm Ukrainën dhe Moldavinë në renditjen sipas vlerës nominale. Të dhënat e publikuara nga Eurostat për korrikun 2025 tregojnë se vendi ynë ka vetëm 566 njësi të fuqisë blerëse (PPS), një tregues që mat realisht se çfarë mund të blejë një punëtor me pagën minimale.

Në Bashkimin Europian, paga minimale mujore bruto varion nga 551 euro në Bullgari deri në 2,704 euro në Luksemburg. Ndërkohë, pesë shtete anëtare — Italia, Danimarka, Suedia, Austria dhe Finlanda — nuk kanë të përcaktuar një pagë minimale kombëtare. Ukraina, si vend kandidat për BE, ka pagën më të ulët në vlerë nominale me vetëm 164 euro në muaj.

Krahasimi sipas fuqisë blerëse tregon një realitet ndryshe nga ai i vlerave nominale. Luksemburgu ruan vendin e parë me 2,035 PPS, ndërsa Estonia ka fuqinë blerëse më të ulët në BE me 886 PPS. Por kur përfshihen edhe vendet kandidate, Shqipëria zbret në fund të listës me 566 PPS, duke dëshmuar diferenca të mëdha në raport me vendet e zhvilluara.

Raporti tregon se hendeku mes vendeve ngushtohet ndjeshëm kur llogariten kostot reale të jetesës. Për shembull, paga minimale në Luksemburg është 4.9 herë më e lartë se në Bullgari sipas euros, por ky raport ulet në vetëm 2.3 herë sipas PPS. Megjithatë, Shqipëria nuk përfiton nga ky lloj krahasimi dhe mbetet në pozicionin më të dobët.

Vendet e Europës Lindore dhe Ballkanit zakonisht renditen në fund sipas vlerës në euro, por shumë prej tyre përmirësojnë ndjeshëm pozicionin në renditjen sipas PPS. Për shembull, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Mali i Zi tejkalojnë disa vende të BE-së si Malta, Hungaria, Sllovakia, Çekia, Bullgaria, Letonia dhe Estonia kur matet fuqia blerëse.

Në të kundërt, disa shtete si Estonia dhe Çekia humbasin pozita të rëndësishme kur bëhet ky krahasim. Kjo tregon se niveli real i jetesës nuk varet vetëm nga shifra e pagës, por edhe nga kostoja e përgjithshme e jetesës dhe inflacioni në secilin vend.

Ndaj Postimin: