Arrestimet dhe akuzat ndaj figurave kyçe të Partisë Socialiste po e tronditin imazhin e kryeministrit, duke rritur tensionet politike dhe dyshimet për korrupsion.
Media prestigjioze britanike “The Economist” ka analizuar situatën politike dhe gjyqësore në Shqipëri, duke vënë theksin tek goditja që ka pësuar imazhi i kryeministrit Edi Rama si pasojë e hetimeve dhe arrestimeve të bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.
Sipas raportit, vala e arrestimeve ka përfshirë politikanë të njohur, ish-presidentë, ministra dhe zyrtarë të lartë, përfshirë figura të Partisë Socialiste që ndodhet në pushtet. Kjo ka shkaktuar përçarje brenda klasës politike dhe ka dobësuar mbështetjen për Ramën.
“The Economist” nënvizon se hetimet ndaj figurave si kryebashkiaku Erion Veliaj kanë ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin publik për kryeministrin, i cili tashmë po distancohet nga kritikat e ashpra ndaj institucioneve të drejtësisë.
Raporti sjell në vëmendje faktin se lufta kundër korrupsionit mbetet një nga kushtet kryesore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. SPAK, struktura speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e krijuar në vitin 2019, është bërë institucioni më i besuar në vend me 76% mbështetje nga qytetarët.
Arrestimet nuk kanë kursyer as figura historike të politikës. Në vitin 2023, SPAK vendosi në arrest shtëpiak ish-presidentin Sali Berisha, i cili akuzohet për korrupsion. Po ashtu, ish-presidenti Ilir Meta është nën akuzë, ndërsa disa ish-ministra të qeverisë Rama kanë përfunduar në pranga.
Në shkurt, radha i erdhi kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt, një nga figurat më të lakuara si pasardhës potencial i Ramës. Ai, bashkëshortja dhe disa deputetë socialistë akuzohen për pastrim parash dhe korrupsion, por i mohojnë akuzat.
Hetimet e SPAK-ut kanë zbuluar edhe rrjete kriminale ndërkombëtare që veprojnë nga Dubai, Amerika Latine dhe Evropa, duke investuar fitimet e trafikut të drogës në ndërtim në Shqipëri. Në korrik, SPAK sekuestroi pasuri të dyshuara nga pastrimi i parave dhe ngriti akuza për trafik armësh drejt Britanisë.
Rama, që dikur e mbështeste fuqimisht SPAK-un, ndryshoi qëndrim pas arrestimit të Veliajt, duke akuzuar institucionin për shkelje të të drejtave të njeriut. Por kritikat nga Bashkimi Evropian e detyruan të tërhiqej.
Kryeministri ka deklaruar se synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, ndërsa disa vende anëtare e shohin bashkëpunimin e SPAK-ut në luftën kundër bandave si një pikë të fortë për Shqipërinë.
Erion Veliaj, i njohur për transformimin urban të Tiranës që prej vitit 2015, akuzohet nga SPAK se ka përdorur donacione të OJQ-ve për pastrim parash. Ai ndodhet ende në paraburgim gjashtë muaj pas arrestimit, në një vend ku 62% e të burgosurve janë në pritje gjyqi.
Përveç tij, nën hetim janë edhe një deputet socialist i akuzuar për manipulim dëshmitarësh dhe një ish-deputet i dyshuar për bashkëpunim me grupe kriminale gjatë fushatave zgjedhore.
Familjarët e Veliajt e akuzojnë SPAK-un për veprim mbi baza të rreme, ndërsa opinioni publik mbetet i ndarë: disa e shohin si goditje ndaj pandëshkueshmërisë, të tjerë e krahasojnë me praktikat e Sigurimit të periudhës komuniste.
Sipas burimeve gjyqësore, qëllimi i SPAK-ut është të shkatërrojë rrënjët e pandëshkueshmërisë në Shqipëri – një mision që, nëse realizohet, do të konsiderohej ngjarja më e madhe politike e shekullit për vendin.


