Institucioni financiar NOA do të përthithet nga ABI Bank, duke krijuar një strukturë më të fuqishme kreditimi dhe zgjerim të portofolit të shërbimeve bankare.
Institucioni financiar jobankar NOA ka nisur procedurat për t’u bashkuar me Bankën Amerikane të Investimeve (ABI Bank), pas vendimit të aksionarit të saj të vetëm, Tranzit, që zotëron edhe ABI-n. Ky bashkim synon të rrisë fleksibilitetin operacional dhe të zgjerojë shtrirjen në segmente më të mëdha të kreditimit, përfshirë kreditë konsumatore, kartat e kreditit dhe huatë mezzanine për bizneset e vogla e të mesme.
Sipas vendimit të marrë, pas miratimit nga autoritetet rregullatore si Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Konkurrencës dhe institucionet tatimore, ABI Bank do të jetë pasardhësi ligjor i NOA-s në të gjitha kontratat dhe marrëveshjet ekzistuese. Pavarësisht bashkimit, marka NOA do të vazhdojë të përdoret për aktivitetin e mikrofinancës, duke funksionuar e ndarë brenda ABI Bank sipas modelit “ring fenced”.
NOA, e themeluar në vitin 1998 si shoqëri kursim-krediti, ka kaluar disa faza transformimi, duke ndryshuar emër në vitin 2008 në Opportunity Albania dhe në vitin 2010 në NOA, pas blerjes nga NOA Holding në Hollandë. Në fund të vitit 2024, kompania zotëronte 12.6 miliardë lekë aktive, kryesisht hua për sektorin privat, dhe një portofol neto kredish prej 10.8 miliardë lekësh. Fitimi neto për vitin ishte 498 milionë lekë, në rritje me 24% nga një vit më parë.
Në vitin 2023, NOA u bë kompania e parë në Shqipëri që realizoi me sukses një ofertë publike të obligacioneve korporative me vlerë 500 milionë lekë, duke i regjistruar në bursë. Ky hap i dha kompanisë akses në financim të ri nga tregu i kapitaleve.
Nga ana tjetër, ABI Bank, me 145 miliardë lekë aktive që përfaqësojnë rreth 6.7% të tregut bankar, është banka e shtatë më e madhe në vend dhe një nga më fitimprurëset. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, ajo raportoi fitim neto prej 2.1 miliardë lekësh dhe një normë kthimi nga kapitali afërsisht 34%.
Tranzit, pronar i të dy institucioneve, u licencua në vitin 2010 nga Banka e Shqipërisë dhe fillimisht veproi në mbledhjen e kredive me probleme. Në vitin 2015, ajo hyri në tregun bankar përmes blerjes së Credit Agricole Albania, që më pas u shndërrua në ABI Bank. Ky bashkim pritet të konsolidojë pozitat e grupit në sektorin financiar shqiptar.


