Kryeministri Edi Rama thekson rëndësinë e një rezolute të Kuvendit të Kosovës dhe mbështetjen e Shqipërisë për ish-udhëheqësit e UÇK-së të gjykuar në Hagë, duke kritikuar mungesën e reagimit institucional në Prishtinë.
Kryeministri Edi Rama reagoi pas protestës masive në Prishtinë në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mes të cilëve edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, që po përballen me akuzat në Tribunalin e Hagës. Përmes një postimi në Facebook, Rama kritikoi mungesën e një rezolute nga Kuvendi i Kosovës, që sipas tij duhet të ishte një akt pa dallime partiake për të denoncuar shkeljet në procesin gjyqësor.
Ai ngriti pyetjen pse institucioni më i lartë ligjvënës i Kosovës nuk ka reaguar me një rezolutë që të mbrojë të drejtat e ish-udhëheqësve, duke vënë në dukje se nëse kjo rezolutë do të miratohej, edhe Kuvendi i Shqipërisë do të bashkohej menjëherë për ta votuar dhe për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve në çdo shtet demokratik që mbështet Tribunalin. Rama publikoi gjithashtu fotografi nga protesta ku shihet masa e madhe e qytetarëve me flamujt e Shqipërisë, Kosovës dhe UÇK-së.
Pas tubimit të organizuar nga Veteranët e Luftës së UÇK-së në sheshin Skënderbeu të Prishtinës, ku morën pjesë mijëra qytetarë nga Kosova dhe rajoni, u shpreh edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali. Ajo e konsideroi protestën si një shprehje të indinjatës mbarëshqiptare kundër mbajtjes së padrejtë të ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, duke theksuar se ky është një akt solidariteti dhe një kundërshtim ndaj padrejtësisë historike.
Spiropali theksoi se drejtësia nuk mund të përmbyset dhe viktimat nuk mund të shndërrohen në agresorë, ndërsa shprehu mbështetjen për ish-udhëheqësit e UÇK-së që sipas saj po mbahen padrejtësisht në paraburgim. Gjyqi i ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve ka nisur më 3 prill 2023, ndërsa kohët e fundit është shtyrë edhe njëherë masa e paraburgimit ndaj tyre.
Protesta dhe reagimet vijnë në një kohë kur çështja e ish-udhëheqësve të UÇK-së mbetet një nga temat më të ndjeshme në Kosovë dhe rajon. Mijëra qytetarë kërkojnë drejtësi dhe mbrojtje institucionale për ta, duke kërkuar që zëri i tyre të dëgjohet në çdo forum ndërkombëtar.
Postimi i plotë i Edi Ramës në Facebook:
“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!
Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cënim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet”.