Policia lokale në Fier arrestoi dy drejtues makinash për aksidente të rënda, ndërsa nisi procedime penale për dy shtetas të tjerë lidhur me vepra të ndryshme kriminale.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier njofton se dje, në rrethrrotullimin e fshatit Levan, u arrestua në flagrancë shtetasi I. P., 56 vjeç nga Tirana. Ai shkaktoi një aksident ku përplasi automjetin e shtetasit K. B., 51 vjeç nga Peqini, i cili humbi jetën si pasojë e përplasjes. Në këtë ngjarje u dëmtuan edhe vetë I. P. dhe katër pasagjerë nga dy automjetet, dy prej të cilëve u trajtuan në spital dhe më pas u larguan në shtëpi.
Po ashtu, në Lushnjë u arrestua në flagrancë Sh. M., 48 vjeç, i cili drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Ai goditi makinën e shtetasit S. K., 65 vjeç nga Tirana, i cili pas marrjes së ndihmës mjekësore u largua nga spitali.
Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, specialistët e Policisë referuan në Prokurori rastin e shtetasit V. D., 33 vjeç nga Durrësi. Ai dyshohet se ka përfituar me dokumente false një automjet të një 25-vjeçari dhe më pas e ka shitur atë.
Gjithashtu, Komisariati i Policisë Mallakastër referoi në Prokurori një çështje penale për shtetasin A. B., 49 vjeç nga fshati Klos, i cili dyshohet se ka dëmtuar automjetin e një subjekti privat për motive të dobëta.
Materialet e të gjitha këtyre rasteve janë në Prokurorinë e Fierit për veprime të mëtejshme ligjore.


