U gjet i groposur në Baicë, hetimet vazhdojnë për zbardhjen e vrasjes së Enver Bajraktarit

Hetuesit e Policisë dhe Prokurorisë po punojnë intensivisht për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së Enver Bajraktarit, i cili u gjet i varrosur në një arë misri në Lipjan.

Në datën 4 Gusht, trupi i pajetë i Enver Bajraktarit u zbulua në një fushë të mbjellë me misër në fshatin Baicë të Lipjanit. Burimet e Prokurorisë Themelore në Prishtinë konfirmuan se vdekja ka ardhur si pasojë e përdorimit të mjeteve të forta, duke e cilësuar rastin si vrasje.

Pas kryerjes së autopsisë, hetuesit vazhdojnë me intensitet për të zbuluar detajet e ngjarjes, por në këtë fazë nuk bëhen publike informacione të tjera për shkak të sekretit hetimor. “Më datë 5 gusht është bërë identifikimi i plotë, viktima është Enver Bajraktari,” njoftoi prokuroria.

Një nga familjarët e të ndjerit deklaroi se vendi ku ishte varrosur trupi u zbulua përmes vëzhgimeve të kamerave, të cilat evidentuan lëvizjet e fundit të viktimës pranë një shtëpie. Personat që morën pjesë në kërkim vunë re gjurmë zvarritjeje në arë, ku edhe u gjet trupi.

Familjari shtoi se viktima nuk kishte pasur konflikte të dukshme me askënd, duke hedhur dyshime për motivet e krimit. Policia raporton se janë intervistuar katër dëshmitarë meshkuj nga Kosova lidhur me ngjarjen.

Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës përshkruan ngjarjen si një “vrasje e rëndë” dhe konfirmon se trupi i viktimës, rreth moshës 50-60 vjeç, ishte i freskët kur u gjet i groposur. Njësia për zhvarrime dhe prokurori kujdestar morën pjesë në nxjerrjen e trupit.

Hetimet vazhdojnë me intensitet për të zbuluar autorët dhe rrethanat që çuan në këtë krim makabër në fshatin Baicë të Lipjanit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033