Shqipëria U-20 femra triumfon ndaj Maltës në Divizionin B të Europianit

Kombëtarja shqiptare e femrave U-20 në basketboll arriti fitoren e parë në Divizionin B të Kampionatit Europian, duke mundur Maltën me rezultatin 50-46 në Miskolc të Hungarisë.

Nën drejtimin e trajnerit Vladimir Xheka, vajzat kuqezi kontrolluan ndeshjen pothuajse gjatë gjithë kohës, duke arritur edhe një avantazh prej 16 pikësh. Megjithatë, në fund të takimit sfida u ngushtua dhe Malta tentoi përmbysjen, por Shqipëria arriti të ruajë avantazhin në sekondat e fundit.

Çereku i parë përfundoi me shifrat 19-12 për Shqipërinë, e cila vijoi dominimin dhe në periudhën e dytë duke fituar 9-7. Pas gjysmës së ndeshjes, rezultati ishte 28-19 në favor të kombëtares shqiptare. Perioda e tretë u mbyll 10-8 për vajzat tona, të cilat shkuan në pushim me shifrat 38-27.

Në 10 minutat e fundit, maltezet arritën të ngushtonin diferencën dhe për pak sekonda kaluan në avantazh 46-45. Por Dhimitra Angjelakidhu me një gjuajtje trepikëshe dhe Melida Hykaj me dy pikë vendosën rezultatin përfundimtar.

Angjelakidhu u shpall lojtare më e vlefshme (MVP) me 16 pikë, 4 kërcime dhe 2 asistime, ndërsa Anisa Bokrina shënoi 15 pikë dhe dha 4 asistime.

Në grupin A, Shqipëria kishte pësuar humbje nga Danimarka, Serbia dhe Bullgaria, por kjo fitore ndaj Maltës përfaqëson një kthesë pozitive në garë.

Ndaj Postimin: