Adelina Tahiri rrëfen luftën me depresionin pas lindjes: “Nuk ishte e lehtë të pranoja ndryshimet në trupin tim”

Adelina Tahiri, këngëtarja që ka mbajtur gjithmonë një imazh të fuqishëm dhe të stilizuar, ka ndarë me fansat e saj një pjesë më intime të jetës së saj.

Rrallë herë e shohim atë të shfaqet në intervista për të folur për jetën profesionale dhe personale, por kohët e fundit ajo ka zgjedhur të hapet për periudhën e vështirë që ka kaluar pas lindjes së djalit të saj, Jon.

Në një intervistë të ndjerë me moderatorën Orinda Hutën, Adelina ka rrëfyer sfidat që ka hasur gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, veçanërisht për ndryshimet në trupin e saj. Këngëtarja ka zbuluar se gjatë shtatzënisë ka shtuar rreth 30 kilogramë dhe si shumë gra pas lindjes, ka kaluar një periudhë të vështirë për t’u rikuperuar dhe për t’u pranuar në trupin e saj të ri.

“Gjatë shtatzënisë kam shtuar 30 kilogramë. Kur pas lindjes pash veten në pasqyrë, ndjeva një trishtim të thellë. Në atë moment, nuk isha më e kënaqur me trupin tim. Ishte një moment shumë i vështirë, aq sa nuk doja të shikoja as veten në pasqyrë,” – tha Adelina, duke kujtuar momentin kur ka hyrë në banjo pas lindjes. “Kur pash atë që ndodhi, thashë me vete, ‘o Zot, nuk mund ta pranoj këtë. Nuk do të dal më as në shtrat me burrin derisa të rikthehem në format e mia të dikurshme.’”

Këngëtarja ka shpjeguar se kjo periudhë ka ndikuar shumë në gjendjen e saj emocionale. “Unë rash në depresion. Ishte një periudhë që nuk kujdesej për asgjë tjetër përveçse për peshën time. Nuk më interesonte asgjë, as karriera, as familja, vetëm pesha ime. Dhe kjo më bëri të humbisja edhe qumështin për djalin,” – tha ajo.

Adelina ka theksuar se është mësuar gjithmonë të jetë në super formë dhe se kjo periudhë pas lindjes ishte një goditje e fortë për të. “Psikologjia ime është shumë e fortë dhe në momente të tilla ishte e vetmja gjë që më ndihmoi. Nuk hëngra fare, madje kam ushqyer Jonin vetëm për 20 ditë me gji. Mbase tingëlloj egoiste, por në atë moment nuk isha e lumtur,” – shtoi ajo.

Pavarësisht vështirësive, Adelina ka thënë se ka arritur të kalojë këtë fazë falë forcës së brendshme dhe mbështetjes nga familja dhe miqtë e afërt. “Më pas, kam filluar të punoj për veten time, për trupin tim dhe për mendjen time, dhe pas një periudhe të gjatë kam arritur të ndjehem më mirë. Është një proces dhe është e rëndësishme të pranosh veten në çdo fazë të jetës,” – ka përfunduar ajo.

Këngëtarja, e cila tashmë ka rikuperuar format e saj dhe ka shpërthyer me disa projekte të reja muzikore, ka treguar se është e gatshme të pranojë çdo aspekt të jetës së saj, duke e ndihmuar kështu edhe audiencën të kuptojë më mirë sfidat që vijnë me nënshtrimin e trupit dhe mendjes pas lindjes.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera