Policia arrestoi vetëm inxhinierin, ndërsa pronarët e kompanisë “Jala Investment” vijojnë projektin pa leje ndërtimi.
Në mars të vitit 2021, Këshilli i Rregullimit të Territorit, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, miratoi lejen e ndërtimit për një projekt hotelierie deri në 6 kate, me investitor shoqërinë “Jala Investment”. Kjo kompani përbëhej nga “Andi” shpk e Andi Gjiknurit dhe “AIG” shpk, me pronar Jonian Antonin, i njohur si drejtues i “Century 21” në fushën e imobiliareve.
Qysh nga fillimi, projekti i “Jala Investment”, që parashikonte ndërtimin e 120 dhomave, ngjalli dyshime të mëdha në publik. Raporte të ndryshme ngritën pretendime se ndërtimi po realizohej mbi prona me status të paqartë ose madje të paligjshme.
Këto akuza u kundërshtuan nga administratori i “Jala Investment”, Saimor Broka. Ai u shpreh se prona ishte blerë në mënyrë të ligjshme nga aksioneri “AIG” shpk, ndërsa investimi financiar po kryhej nga “Andi” shpk.
Megjithatë, katër vite më pas, kompania përballet me probleme serioze ligjore. Institucionet e zbatimit të ligjit zbuluan se projekti po vijonte pa leje ndërtimi të vlefshme, duke e konsideruar këtë shkelje flagrante.
Megjithë këtë, personi i vetëm i arrestuar deri tani është inxhinieri zbatues i projektit, Klarens C., i cili u ndalua në flagrancë më 3 qershor 2025 nga Policia e Vlorës nën dyshimet për “ndërtim të paligjshëm për qëllime përfitimi”.
Policia, me ndihmën e inspektorëve ndërtimorë të Bashkisë Vlorë, konfirmoi se puna po zhvillohej pa një leje ndërtimi aktive, duke vënë në pranga vetëm Klarensin, ndërkohë që pronarët dhe drejtuesit e “Jala Investment” nuk u prekën nga hetimet.
40-vjeçari paraqitet në gjykatë më 6 qershor, ku iu vendos masa e sigurimit “detyrim për paraqitje”. Ai është i vetmi përgjegjës i “Jala Investment” që po përballet me pasojat ligjore, pavarësisht se punimet ishin kryer sipas urdhrave të administratorit dhe me fonde të kompanisë.
Ndërkohë, institucionet e drejtësisë dhe policia kanë shmangur hetimin e drejtuesve të kompanisë, duke goditur vetëm “hallkën më të dobët” të zinxhirit drejtues.
Dokumentet e siguruara nga “Boldnews.al” tregojnë se më 3 qershor 2025, policia shkuar në kantierin e ndërtimit të “Jala Investment”, në fshatin Jalë, në bregdetin e Dhërmiut, i rrethuar me profile hekuri dhe reklama të vilave që po ndërtoheshin.

Në këtë kantier, i ndërtuar buzë rrugës që çon në plazhin Jalë, gjenden gjashtë pallate me pesë dhe gjashtë kate, ku një kat është nën tokë për shkak të relievit të pjerrët të terrenit. Brenda vendit të ndërtimit janë edhe materiale ndërtimi, skela metalike dhe vinç kullë.
Inxhinieri zbatues u pyet për dokumentacionin e punimeve, ku deklaroi se kompania kishte marrë një leje ndërtimi më 16 janar 2024. Më pas, në 29 mars 2024, ishte kërkuar rishikimi i kushteve të lejes, por deri në atë moment nuk ishte marrë asnjë përgjigje nga Agjencia për Zhvillimin e Territorit.

Ndërkohë që kërkesa për rishikim të lejes nuk ishte përfunduar, punimet vijuan pa ndërprerje, gjë që u konsiderua nga policia si “ndërtim i paligjshëm”.
Kjo situatë çoi në arrestimin në flagrancë të inxhinierit zbatues për “ndërtim të paligjshëm me qëllime përfitimi”, pavarësisht se nuk është e qartë se cili përfitim i përket drejtpërdrejt Klarensit, kur pronarët janë dy ortakët e kompanisë.
Tre ditë pas arrestimit, gjykata vendosi që inxhinieri të paraqitet çdo muaj para oficerit të Policisë Gjyqësore, deri në përfundimin e hetimeve.
Ky rast nuk është i vetmi ku autoritetet godasin vetëm personelin teknik ndërkohë që drejtuesit dhe pronarët e investimeve ndërtimore vijojnë aktivitetin pa asnjë përgjegjësi ligjore.


