Vrasësi rumun i Renato Hoxhajt u prezantua si kapiten anijesh dhe u arratis drejt Greqisë pas 6 orësh

Hetimet zbulojnë se rumuni Daniel Cornea u prezantua si kapiten anijesh dhe u arratis pas vrasjes së Renato Hoxhajt në Vlorë, duke kaluar kufirin drejt Greqisë në këmbë dhe duke përdorur taksi të ndryshme gjatë arratisjes.

Autoritetet e Vlorës kanë avancuar hetimet për vrasjen e 58-vjeçarit Renato Hoxha, ngjarje e regjistruar më 27 prill në lagjen “Hajro Çakërri”. Si kryesori i dyshuar është identifikuar rumuni 53-vjeçar Daniel Cornea, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa në pranga ka përfunduar shqiptari Kleanth Bylyku, i njohur me nofkën Armando Gega, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorin gjatë lëvizjeve ditën e ngjarjes.

Hetimet zbulojnë se Cornea hyri në Shqipëri më 21 prill, përmes pikës doganore të Qafë Botës, në këmbë. Pas kalimit të kufirit, ai mori një taksi me destinacion qytetin e Vlorës, duke u prezantuar si kapiten anijesh dhe duke folur në greqisht me shoferin. Gjatë udhëtimit, shoferi u ndje keq dhe e çoi deri në Shijan-Sarandë, ku rumuni ndërroi taksi dhe vazhdoi drejt Mavronatit.

Pamjet e kamerave të sigurisë nga 27 prilli tregojnë se rreth orës 04:47 Cornea ka dalë nga automjeti Land Rover dhe ka lëvizur këmbë në lagjen “Hajro Çakërri” deri në vendin ku kreu ekzekutimin me katër plumba ndaj Renato Hoxhajt. Pas aktit kriminal, ai u kthye te makina, duke e përdorur për të udhëtuar nëpër Vlorë dhe më pas drejt Sarandës, ku u kap në “Posta Ksamil” në orën 11:00.

Pas ekzekutimit, ai kaloi përsëri kufirin në Qafë Botë në këmbë dhe u largua drejt Greqisë, duke bartur me vete një çantë me rroba. Hetuesit dyshojnë se vrasja mund të ketë qenë hakmarrje ose për të heshtur një dëshmitar që kishte njohuri për krime të tjera në Vlorë.

Renato Hoxhaj ishte komshi i një prej figurave më të njohura të botës së krimit në Vlorë, Sokol Sinomati, i njohur si “Buzëderri”. Përveç roli të mundshëm si roje i banesës së tij, hetuesit besojnë se Hoxhaj mund të ketë qenë informator dhe ky fakt e bëri objektiv të dy grupeve rivale në qytet.

Lidhur me këtë ngjarje, hetimet përqendrohen edhe në lidhje me vrasjen me snajper të Gëzim Sinomatit më 7 janar 2024 në Vlorë, dhe atentatin me eksploziv ndaj Bernard Sinomatit në Tiranë më 21 dhjetor 2024. Këto dy incidente rrisin dyshimet për rolin e Renato Hoxhajt si person me informacion të rëndësishëm, duke e kthyer atë në qëllim të grupeve të ndryshme kriminale.

Autoritetet kanë ngritur dyshime se vrasja e Renato Hoxhajt është urdhëruar nga një grup me lidhje në Dubai, duke i dhënë ngjarjes një dimension ndërkombëtar. Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha lidhjet dhe motivet pas këtij atentati.

Ndaj Postimin: