Shumica e bashkive në Shqipëri nuk kanë arritur të shpenzojnë më shumë se 10% të buxhetit të investimeve publike gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025.
Një pjesë e madhe e njësive administrative në Shqipëri përballen me mungesa të mëdha infrastrukturore, sidomos në rrugë lidhëse me rrjetin kombëtar ose qytetet kryesore. Këto mangësi e bëjnë jetën në zonat rurale të vështirë dhe shtyjnë banorët të largohen, ndërsa bashkitë nuk arrijnë të shfrytëzojnë siç duhet fondet e investimeve të planifikuara.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave për periudhën Janar–Maj 2025, investimet e realizuara nga njësitë vendore kapën vetëm rreth 4.5 miliardë lekë, nga një plan vjetor prej mbi 44.9 miliardë lekësh. Kjo tregon se vetëm 10% e programit të investimeve është ekzekutuar në pesë muajt e parë të vitit.
Bashkia e Tiranës, me buxhetin më të madh të investimeve në vend, ka realizuar vetëm 4.8% të planit të saj vjetor, duke shpenzuar rreth 941 milionë lekë nga 19.4 miliardë lekë që kishte parashikuar. Kjo situatë alarmuese tregon për probleme të thella menaxheriale në administratën vendore.
Edhe bashkitë që janë qendra qarku kanë ritme shumë të ulëta zbatimi. Bashkia e Lezhës ka shënuar realizim prej vetëm 1.6%, ndërsa Vlora vetëm 3.3%. Bashkitë e mëdha si Shkodra, Korça dhe Fieri kanë përqindje realizimi nën 10%, me Fierin që arrin një nivel prej 9.6%.
Nga ana tjetër, bashkitë më të vogla kanë treguar përformancë më të mirë në shfrytëzimin e fondeve. Delvina kryeson me 100% realizim të buxhetit, Hasi rreth 96%, dhe Poliçani 88%. Finiqi dhe Kukësi po ashtu renditen mirë, me realizim përkatësisht 65.7% dhe 54%.
Këto rezultate tregojnë se bashkitë me projekte më të pakta dhe buxhete më modeste janë më efikase në zbatimin e investimeve publike, ndërsa njësitë më të mëdha dhe me projekte komplekse hasin vështirësi në ekzekutim.
Në përgjithësi, mungesa e infrastrukturës, vonesat në zbatim dhe menaxhimi i dobët po pengojnë realizimin e projekteve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë te jetesa e qytetarëve në Shqipëri.


